5 vjet pas mbylljes, godina e filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit është braktisur dhe po shkon drejt rrënimit të plotë.
Për 7 vjet aty studiuan disa qindra të rinj nga verilindja duke i dhënë qytetit gjallëri, ndërsa nga ana tjetër ulnin shpenzimet për familjet e tyre.
Por sot në vend të studentëve aty ka vetëm ferra, shkurre e mbeturina dhe është lënë në harresë.
Situata aktuale e objektit është një kambanë alarmi se shumë shpejt ajo mund të degradojë, duke u kthyer në një objekt pa vlerë, për shkak të braktisjes.
Banorët e qytetit të Kukësit, por edhe Hasit, Tropojës dhe Pukës, të cilët studionin në këtë filial, ngritën zërin për rihapjen e tij, madje edhe Bashkitë dhe Këshilli i Qarkut, por pa sukses.
Filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës u çel në vitin 2007 me një numër të kufizuar studentësh, por edhe pse vit pas viti numri i tyre erdhi në rritje, ai u mbyll në vitin 2014.