MENU
klinika

Ashpërsim i Kodit Penal

FNSH blindon Astirin/ Banorët në protestë për të arrestuarit

12.10.2019 - 18:24

Me ashpërsimin e Kodit Penal ndaj një sërë veprash mes të cilave edhe bllokimi i rrugëve dënimi për të cilën shkon deri në tre vite burg, policia ka bërë arrestime të banorëve të zonës së Astirit që protestojnë kundër projektit të Unazës së Madhe.

I kthyer në ritual të përditshëm prej muajsh të tërë, edhe këtë të shtunë, banorët kanë dalë në protestë, por ndryshe nga herët e tjera, në këtë protest janë forca të shumta jo vetëm të Policisë së rendit, por edhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Këto masa janë marrë për të mos i lejuar banorët të bllokojnë rrugën kryesore në të dy kahet e saj në zonën e Unazës së Re, ndërkohë që pritet të ketë edhe ‘revoltë’ të banorëve pas arrestimit të 6 banorëve të cilët ndodhen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Banorët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e të cilit do të duhet të shemben banesat dhe bizneset e tyre anë rrugës, shumica prej të cilëve pa legalizuar, edhe pse do të dëmshpërblehen.

Kujtojmë se për, muaj me radhë kjo protestë është mbështetur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, me prezencën më të shumtë të ish-deputetëve Klevis Balliu dhe Endrit Brahimllari, ndërsa nuk ka munguar edhe një marrëveshje mes tyre dhe liderit demokrat Lulzim Basha, ku premtohej rishikimi i këtij projekti kur PD të vijë në pushtet.