MENU
klinika

Përfundon ndërtimi i urës

Fushë-Krujë/ Rama: Zona ka nevojë për sistemim

01.10.2019 - 17:17

Ka përfunduar ndërtimi i Urës mbi Lumin Zezë në qytetin e Fushë-Krujës, ku ishte kthyer në një makth të vërtetë për banorët e zonës, për shkak të daljes nga shtrati dhe përmbytjeve që shkaktonte sa herë kishte reshje të shumta. Për të inspektuar punimet sot në këtë Urë ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili ka thënë se e gjithë zona ka nevojë për një sistemim dhe plotësimin e saj me gjelbërim.

Kryeministri kërkoi që krahas punës për ndërhyrjet të vijohet me sistemim, gjelbërimin e shtratit të lumit, duke përmbushur standardet mjedisore: “Është mirë të bëhet një sistemim që të mos jetë një histori ferrash dhe ndërhyrjesh, është mirë që të bëhet një sistemim nga të dy anët, me vendos edhe një brez të gjelbër pemësh. Nuk është thjeshtë nga ana estetike, por edhe aspekti mjedisor. Edhe ato godinat që hyjnë dhe fusin hundën në shtrat duhen prishur, nuk mund të vazhdojnë të rrinë ashtu,” – u shpreh ai.

 

Ndërkohë në zonë punimet për projektin e rehabilitimit të lumit Zezë po vijojnë me sistemimin e seksionit të lumit me mure betonarme, ndërtimin e mureve prej gabioni dhe me gërmimin dhe sistemimin e skarpateve të lumit.

Kryetari i bashkisë u shpreh se projekti ka ndërhyrë në tre pikat më problematike të lumit, të cilat shkaktonin përmbytje të mëdha në muajt e reshjeve. “Kemi prekur tre pikat kryesore më delikate të lumit, Aramerasin në jug të Fushë-Krujës, urën ku ka pas dalë çdo vit uji dhe hapjen e grykës në dalje të lumit në veri të Fushë Krujës. Në këto tre pika që kemi bërë ndërhyrjen më të shpejtë kemi bërë të mundur që të mos dali uji kësaj radhe, kur kanë qenë edhe reshjet më rekord 140 milimetra ujë në 5 orë brenda një dite.”

Ura e Re ka gjerësi prej 22 metrash dhe lartësi 5 metra, çka shmang daljen e lumit e përmbytjet në stinën e reshjeve. “Ura ka pasur një problem sepse ka qenë me këmbë në mes dhe kanë patur një hapësirë shumë të ngushtë. Ajo fillimisht ka qenë me dy hapësira dritë 7, 5 metra dhe lartësi 3.75 metra. Ajo kolona e mesit ka qenë pengesë për pritjen e inerteve dhe drurëve që binin nga mali. Ndërsa tani është bërë me lartësi drite 22 metra dhe lartësia është 4.85,” shpjegoi drejtuesi i punimeve. Ai gjithashtu shtoi se me punimet e deritanishme, është zgjidhur përfundimisht problemi i përmbytjeve. “Përsa i përket të gjithë banesave dhe pronave që janë përmbytur në qytetin e Fushë Krujës për shkak të lumit të Zezës është zgjidhur problemi. Në anën perëndimore të Krujës mbi njëmijë familje dhe biznese janë të gjitha falënderues dhe e kanë hequr atë sikletin e përvitshëm.”

Kryeministri kërkoi që krahas punës për ndërhyrjet të vijohet me sistemim, gjelbërimin e shtratit të lumit, duke përmbushur standardet mjedisore: “Është mirë të bëhet një sistemim që të mos jetë një histori ferrash dhe ndërhyrjesh, është mirë që të bëhet një sistemim nga të dy anët, me vendos edhe një brez të gjelbër pemësh. Nuk është thjeshtë nga ana estetike, por edhe aspekti mjedisor. Edhe ato godinat që hyjnë dhe fusin hundën në shtrat duhen prishur, nuk mund të vazhdojnë të rrinë ashtu,” – u shpreh ai.

Projekti, nënvizoi drejtuesi i projektit, është në zhvillim e sipër dhe respekton plotësisht standardet mjedisore. “1,6 kilometra nga fillimi deri tek ura dhe 2,6 kilometra të tjera janë në vazhdimësi deri në autostradë të sistemuara. Faktikisht këtu do të sistemohet i gjithë shtrati me beton, në mënyrë që të ketë vazhdimësi edhe për mirëmbajtjen. Ndërkohë që në vazhdimësi edhe për hyrjen edhe për daljen ka veshje me mur gabioni.”

Kryeministri theksoi se përfundimi i projektit do t’i japë një dimension të ri infrastrukturës së zonës.