MENU
klinika

ÇABEJ

Gjuha shqipe-Gjirokastra; dashuri të mëdha

07.10.2019 - 12:44

       Një emër që i detyrohemi të gjithë. Një personalitet që spikati natyrshëm dhe shkriu gjithë jetën e tij, në kërkimet e origjinës së popullit të tij; të gjuhës shqipe. Për të, kjo gjuhë dhe ky popull ishte gjithçka: histori, dashuri dhe dhembje gjer në sakrificë.

Për shkak të formimit dhe jetës më shumë se 30-vjeçare mes Europës e Shqipërisë, Çabej pozicionohej natyrshëm në elitë e vjetër, pa parti, të shkolluar jashtë, që vinin nga familje të mëdha dhe që nuk mund të pranonin një regjim që më së pari, u merrte lirinë. Të gjitha këto u bënë shkak që ai të cilësohej që në fillim prej regjimit të ri, si element i rrezikshëm, me probleme ideologjike e politike.

 

 

Më 7 tetor, në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën “Studime italo-shqiptare” dhe kthehet në Shqipëri, prej nga ishte larguar para 13 vjetësh. Pas një periudhe pune si mësues në shkolla dhe qytete të ndryshme ,nga veriu në jug; me shkrime e kërkime në fushën e gjuhës, historisë e folklorit, Çabej shpejt bëhet emër i njohur në rrethet intelektuale.
Në shtator 1942, atij i ofrohet antarësia në Institutin e sapo krijuar të Studimeve Shqiptare, por për arsye politike nuk pranon t’i bashkohet. Disa burime thonë se, gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Çabej, gjithashtu, refuzoi postin e ministrit të Arsimit, në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por, në “A Biographical Dictionary of Albanian History” 2013, Robert Elsie thotë, se “Çabej ishte ministër i Arsimit në administratën e qeverisë së Rexhep bej Mitrovicës, nga 5 nëntor 1943 deri më 7 shkurt 1944 dhe ishte në Romë deri korrik 1944.”

Për hollësitë që sjell, konstatimi është i bindshëm; ndërsa burimet e para duket se i referohen ende një historiografie të politizuar dikur. Më 1947, profesor Eqrem Çabej bëhet anëtar i Institutit të Shkencave, pararendës i Universitetit të Tiranës; nga viti 1952 – 1957 ai jep mësim si profesor i historisë së Shqipërisë dhe i fonologjisë historike të shqipes. Në vitin 1972, profesor Çabej bëhët anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Pavarësisht se jetoi e veproi në një periudhë izolimi të rreptë stalinist, Çabej, u bë i njohur e i respektueshëm brenda e jashtë vendit si shkencëtar albanolog i mirëfilltë. Mund të thuhet se ai është i pari shkencëtar abanolog shqiptar i renditur si i barabartë mes albanologëve të huaj me famë si Kretschmer, Patsch, Jokl etj, të cilët kishin qenë edhe profesorët e tij.

 

 

 

Eqrem Çabej vdiq më 1980, në një klinikë në Romë ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Gjirokastra e quan atë birin e saj dhe universiteti i Gjirokastrës, mban sot emrin Eqrem Çabej. Një nga bashkëpuntorët e tij të afërt, profesor Emil Lafe, thotë diku, se edhe Çabej “për Gjirokastrën, kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë, më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here, kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.”

 

 

 

Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh “Meshari i Gjon Buzukut, 1555“, dhe “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Shumë prej punimeve të tij janë përmbledhur në 9 vëllime “Studime Gjuhësore” – Nga gjithë kjo, ajo që lë mbresë është idea që krijohet, sipas së cilës; gjuha shqipe është si aisberg, më e thellë e më e lashtë sesa duket.