Ismail Kadare dhe Nobel, nuk u bashkuan sërish. Të gjitha herët i diskutuar dhe të gjitha herët i përjashtuar. Megjithëse letërsia shqipe përfaqësohet bukur, origjinale, puro, universale, e larmishme dhe këto përmes një gjuhe të lashtë, krejt të veçantë – Kadare ngjall “frikë”, por jo vetëm ai edhe populli “i tij”. /Konica.al.
Kadare, sigurisht nuk ka dhënë asnjë koment për çmimin “Nobel”, as për njërin shkrimtar, atë më të diskutuarin-fitues, Peter Handke. Por, qëndrimin e shkrimtarit karshi dukurisë “Handke”, e hasim tek një fragment nga ditari i Ismail Kadaresë për Kosovën, njëzet vjet më parë:
“Ra ky mort e u pamë”
Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.
Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.
E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë, na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.
Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.
Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.
A mund të jetë atje, ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.
20 Prill, 1999
Nga: Hera Lera