MENU
klinika

Foto

Ishte koha kur kishim uri buke

19.10.2019 - 08:35

Diktatura komuniste e çoi në prag të greminës popullin shqiptar, aq sa fotot e depresionit të madh të Amerikës në vitin 1932, ishin tejet të ngjashme me ato me një shekull më pas me shqiptarët në radhët e bukës.

Foto e parë i përket Amerikës, gjatë Depresionit të Madh në 1932 dhe e dyta, radhët e shtatorit të vitit 1991 në Tiranë
Ishte krejt i ngjashëm me përshkrimin e famshëm të Nonda Bulkës, në letërsinë shqiptare të viteve ’30.

Nëno!…
-Bir!
-Dua bukë!
Mëma hesht.
-Nëno!
-Bir!
-Ngriva!
Mëma psherëtin.
-Nëno!
-Bir!
-Më dhëmb koka!
Mëma s’përgjigjet.
S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tiktaket e zemrës së të birit…

E kush nga shqiptarët, nuk e mban mend shprehjen e njohur të kryeministrit Ylli Bufi kur befas deklaroi në vitin 1991 se: “Shqipëria ka rezerva edhe për 6 ditë bukë”, të cilën vetë kryeministri i tranzicionit e përshkruan në librin e tij “Në fillimet e tranzicionit – Qeveria e stabilitetit, një marrëveshje politike apo i kompromis i përkohshëm?”, duke thënë se: “E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë të paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore”.

Tiranë 1990. © Gani Xhengo
Por krizat e bukës ishin përmendur edhe më parë, siç është edhe ajo e filmit shqiptar të vitit 1976 “Përballimi”, me regji të Viktor Gjikës, ku aktori Sandër Prosi në rolin e Mitit i thotë të birit: “Gjergji, çohu, çohu se të ka sjellë babi bukë lepurushi” (Shih videon).

Kriza e bukës ndeshet edhe në skeçin humoristik të Koço Devoles “Rroftë Partia” (Shih Videon) kur thotë: “Shokë komunistë, partia gjithmonë ka folur hapur me ju. Hapur po flas edhe unë. Bukë nuk ka. Po kur them nuk ka, nuk ka fare. Prandaj, duke vënë në jetë porosinë e partisë, sonte do hani bar! Të rrojë partia!”.

E kështu, shqiptarët e ngratë kanë vrapuar tërë jetën “pas bukës”, madje shprehja jonë edhe kur duam të hamë drekën është: “Dua Bukë”, – një shprehje e mbetur e një epoke të errët dhe plot vuajtje, ku mbase të gjithëve iu kujtohet koha kur sa herë vinte Zuk-u që sillte bukën, shikoje fëmijë e pleq që futeshin pa radhë, e kush ishte më i fortë hipte sipër të tjerëve (ashtu siç e shihni në këto foto), e dilnin prej andej me çanta e thasë plot me bukë.

 

ALBANIA. Shkoder. Bread Shop. 1990.