MENU

300 mijë euro të kursyera në ditë

Itali/ Ulet numri i deputetëve nga 630 në 400

09.10.2019 - 11:05

Një “po” përfundimtare erdhi sot nga Dhoma e Deputetëve, për uljen e numrit të parlamentarëve në Itali.

Projektligji kushtetues që zvogëlon numrin e deputetëve nga 630, që janë aktualisht, në 400 dhe të senatorëve nga 315 në 200, u miratua përfundimisht në Montecitorio me 553 vota pro, 14 kundër dhe dy abstenime.

Duke qenë një projektligj kushtetues, kërkohej një shumicë absolute e anëtarëve të Kuvendit, e barabartë me 316 vota.

“Parlamenti aprovoi projektligjin kushtetues për të ulur numrin e parlamentarëve. Një reformë, që ndikon në kostot e politikës dhe e bën funksionimin e Dhomave më efikase. Një hap konkret për të reformuar institucionet tona. Për Italinë është një ditë historike”, u shpreh në Twitter presidenti i Këshillit, Giuseppe Conte.

“Një reformë historike, një fitore shumë e madhe për qytetarët italianë!” – tha Luigi Di Maio para Dhomës së Deputetëve. “Kjo është fitorja juaj”, – vazhdoi ai, duke iu drejtuar disa prej përkrahësve, që kishin ardhur për të kremtuar reformën.

 

Vendimi do të zbatohet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Qeveria italiane synon që me uljen e numrit të parlamentarëve të kursejë 300 mijë euro në ditë.

Shpenzimet e Parlamentit italian në një vit arrijnë në 1.5 miliardë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga New York Times

A po gabon BE me Italinë?