MENU
klinika

Shkrimtari i brishtë, por i thellë...

“Jo të gjithë duhet të jenë artistë, por askush s’duhet të jetë skllav”

23.10.2019 - 16:46

      Pa diskutim, një nga autorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të letërsisë italiane për fëmijë dhe të rinj. Gianni Rodari, i njohur kryesisht për përrallat dhe vjershat e tij të jashtëzakonshme, në të vërtetë ka shkruar edhe shumë poema, që me gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, përshkruajnë emocione dhe ndjenja të rëndësishme, duke përçuar te të vegjlit mësime edukuese dhe tejet të rëndësishme që i hasim gjatë jetës.

Tekset e shkrimtarit, edhe pse janë shkruar për një audiencë që i referohet brezit të fëmijëve, vlen të theksohet gjithashtu se janë tejet të përshtatshme për të hapur zemrat e të rriturve, duke u zgjuar në kujtesë pjesëza kujtimesh nga fëmijëria dhe duke i shtyrë ata të pushojnë për një moment, të mendojnë për gjëra të rëndësishme, për të mos u përfshirë nga rryma e vrullshme e jetës së përditshme që jemi të detyruar të jetojmë. Ironik, i brishtë, por i thellë, i rëndësishëm dhe i vërtetë mbetet stili i të madhit Gianni Rodari./Konica.al

 

 

Ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë të shekullit XX, Gianni Rodari lindi në 23 tetor 1920 në Omegna, buzë liqenit Orta, vendi ku ishin transferuar prindërit për punë. Pasi ndoqi një seminari 3-vjeçar në Soveso, ai mori diplomën e mësimdhënies në moshën 17-vjeçare. Më pas dha mësim në shkollën fillore në rrethin e Varesotto. I pëlqente muzika, madje ndoqi tre vjet mësime në violinë, si dhe adhuronte letërsinë. Ndërkohë zbuloi veprat e Niçes, Shopenhauerit, Leninit dhe Trotskit, të cilat ndikuan në mprehjen e sensit të tij kritik. Në 1939, për një kohë të shkurtër, ndoqi Universitetin e Milanos. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rodari u përjashtua nga ushtria për arsye shëndetësore. Rodari iu bashkua Partisë Komuniste Italiane në 1944 dhe mori pjesë në lëvizjen italiane të rezistencës. Në vitin 1948, si gazetar i periodikut komunist “L’Unita”, ai filloi të shkruante libra për fëmijë. Më 1950, Partia i besoi pozicionin e redaktorit për revistën për fëmijë “Il Pioniere”. Në vitin 1951, botoi librat e tij të parë: “Libri i vjershave” dhe “Aventurat e Çipolinos”. Nga viti 1966 deri në 1969, Rodari mori pjesë aktive në projekte bashkëpunuese me fëmijë. Në vitin 1970 u nderua me çimin “Hans Christian Andersen” për shkrimtarët për fëmijë, vlerësim që i dha reputacion ndërkombëtar. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë.

Në përrallat, vjershat dhe në romanet e Gianni Rodarit ka një aludim të veçantë, diçka që e bën njeriun të mendojë për Italo Calvinon, por edhe për poetin romantik gjerman Novalis, madje edhe të asaj “loje shoqërore”, gjithçka e ndërthurur me fjalë dhe nënkuptime, me të cilat André Bretonit i pëlqente të zbavitej tek “kufomat e shkëlqyera”. Kjo është pikërisht shija që të lënë veprat e Gianni Rodarit.

 

Dhe ai ishte i vetëdijshëm për këtë: në qytetet e bumit ekonomik dhe zhvillimit industrial të viteve gjashtëdhjetë dhe të shtatëdhjetë, ku ndërthureshin dialektet e ndryshme të emigrantëve, ku rriteshin me hapa galopante fabrikat, lagjet dhe familjet, Rodari me historitë e veta rrekej të mësonte dhe të përhapte gjuhën italiane ndër më të vegjlit, madje edhe tek parashkollorët, duke i përçuar ato me frymën e kulturës së madhe evropiane, pa ngarkesa dhe pa retorikë, duke i afruar brezat e rinj më pranë librave dhe leximit.

“Të jesh kreativ nënkupton të jesh i lirë”  –  ky ishte mësimi i madh i Gianni Rodarit.

“Procesi krijues është i natyrshëm në natyrën njerëzore dhe, si rrjedhojë, gjithçka që rrjedh nga lumturia për t’u shprehur dhe për të luajtur me fantazinë, brenda mundësive të gjithsecilisecilit. […] Jo sepse të gjithë duhet të jenë artistë, por sepse askush nuk duhet të jetë skllav”.

Botoi “Përralla në telefon”, “Libri i gabimeve”, “Atalanta”, “Torta që binte nga qielli”, etj. Ai vdiq gjatë një operacioni kirurgjik në 14 prill 1980 në Romë./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Italo Kalvino dhe leksionet amerikane

Shkujdesja si dimension