MENU
klinika

Java e 8-të

Kalendari i Superiores, 3 ndeshje me drita

16.10.2019 - 15:29

Atmosferës së ndeshjeve të ekipeve kombëtare tashmë ia lënë vendin emocioneve të Kategorisë superiore në futboll. Java e tetë sjell në vëmendje sfida mjaft interesante, ku ka edhe rivalitet historik.

Ngjeshja e ekipeve në krye të renditjes, ku nga vendi i parë deri në të shtatin i ndajnë vetëm 2 pikë, bën që ndeshjet e këaj jave të marrin më shumë vëmendje.

Java e 8-të do të hapet me ndeshjen e së premtes mes Teutës dhe Flamurtarit, takim i cili është parashikuar të luhet në orën 18:00 në Elbasan, për shkak të ndërhyrjeve në stadiumin e qytetit të Durrësit.

Ndërkaq, ditën e shtunë do të luhen të katërta ndeshjet e tjera. Dita do të hapet me takimin mes Luftëtarit dhe Bylisit në orën 14:00. Ndërsa, tre takimet, Vllaznia-Partizani, Skënderbeu-Kukësi dhe Tirana-Laçi do të luhen në orën 17:00.

Ndeshja mes Tiranës dhe Laçit në kryeqytet ishte parashikuar të fillonte në orën 14:00, megjithatë orari ka ndryshuar dhe do të luhet në ndriçimin e projektorëve. Takimi do të jetë më dyer të mbyllura, pasi tifozeria bardheblu është e dënuar pas ngjarjeve në derbi.