MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

“Keshëm dhe ne një lumë, po na e dogji gjermani”

12.10.2019 - 16:39

(Në vend të një letre të hapur, për ambasadorin)

  I nderuar Ambasador, Peter Zingraf!

 

 

Shprehja e mësipërme “Keshëm edhe ne një lumë, po na e dogji gjermani” i përket njërës prej atyre shprehjeve të shumta, që populli, tek ne i përdor për të bërë shaka a për të qesëndisur ata, që dikur, për të treguar vuajtjet e Luftës së dytë dhe dëmet e shkaktuara popullatës, i çonin ato histori në kufirin e legjendës…

Shprehja e mësipërme, m’u kujtua gjatë një qëndrimi të shkurtër në fund jave, në Korçë, apo në një nga pak qytetet e vendit tim, ku ka fillluar të ketë njëfarë jete sociale. Në fakt, është dhe një nga qytetet që e ka kuptuar më shumë nga të tjerët, ndihmën e çmuar gjermane dhe veçanërisht, kuptimin e shprehjes gjeniale po gjermane, që po e përkthej afërsisht në gjuhën time “Ndihmë për vetëndihmë”

Do t’i kthehem prapë kësaj shprehje gjeniale, por së pari, po u tregoj për historinë që ka lidhje me “lumin e legjendës”. Në Korçë, mësova një fakt të tmerrshëm. Ndërsa në arsimin fillor, mungonin, pra nuk ishin regjistruar në ndryshim nga vitet e tjera, 25 për qind e fëmijëve, në Universitetin aty, që ka përgjithësisht profil bujqësor, “po digjej lumi”. Në degët e këtij tipi, kishin mbushur kuotat e regjistrimit, ndoshta vetëm 10 për qind e studentëve, ndërsa në infermieri kuotat ishin mbushur 100 për qind. Nuk është e vështirë të kuptohet lidhja midis fëmijëve që mungojnë dhe kuotave të infermierisë…

Ashtu si dhe në Korçë, të gjithë po kërkojnë të bëhen infermierë dhe të zënë Gjermaninë. Në QSTU e Tiranës, ku edhe shkoj më shpesh, kjo epidemi ka marrë formën e grupeve të organizuara. Madje, thonë kanë ardhur edhe njerëz prej vendit Tuaj, që shohin se kush mund ta bëjë realisht profesionin e cituar…

Natyrisht, kjo letër nuk është për t’u qarë tek Ju, se ashtu si në legjendë, po na digjni lumin. Në vendin tim, legjendat mbi vendin Tuaj janë më shumë se kaq. Ende këtu qajnë atë moskuptimin e komunistëve, që në vitet 80-të, kishin refuzuar ndihmën tuaj bujare… – Po të kishim pranuar, sot do ta kishim Shqipërinë lule… – thonë.

Megjithëse kisha jetuar dhe vetë në Gjermani, rashë dhe unë në këtë grackë dhe pyeta në lidhje me këtë çështje, ish-Presidentin e vjetër komunist, Ramiz Alia. Më shpjegoi, se nuk e ndalonte Kushtetuta për hua apo ndihma. Sepse ishte vetë Zot e vetë shkop.  – Ato ndihma i morëm prej tyre dhe me ato vazhdoni dhe sot – tha ai. Janë bërë gati një miliardë euro, prej asaj kohe. Ndihmë më e madhe se çdo vend tjetër i Europës, apo Botës.

Përgjigja ime ndaj tij, ka të bëjë dhe me thelbin e këtij shkrimi, në formë letre.

Ju kërkuat para dhe ata nuk kanë tepër… Duhet të kishit respektuar Principin e tyre gjenial – i thashë… Që quhet “Ndihmë për vetëndihmë”. E që do të thotë akoma, se, nuk mund të kërkonit para, por thjesht mundësi për zhvillim.

Dhe këtë zhvillim, unë e lidhja dhe vazhdoj ta lidh së pari, me shkollimin profesional, ku ju mund të na ndihmonit atëherë e të na ndihmoni dhe tani realisht… Këtë fazë e keni kaluar dhe Ju, me kaq pak sa di unë nga historia…

E dija se, në kohën e Bismarkut, apo rreth viteve 1880, ai vendosi që të kishte brenda 20 vjetëve, arsimin më të mirë profesional në botë, sepse vendi në atë kohë ishte po në një pozitë të vështirë me të.  Më 1882, ministri juaj i Industrisë në një ekspozitë industriale në Filadelfia, u detyrua të jepte dorëheqjen, pas kritikave që i bënë shprehjes së tij, që u mor si devizë gjermane. “Kemi mall të lirë, por të dobët”…

Poeti Juaj gjenial, Hajnrih Hajne, thoshte për periudhën që flasim, se gjermanët, ndryshe nga francezët që i digjnin veprat e filozofëve dhe ata vetë i mbyllnin në Bastijë, e shpallën Hegelin filozof shtetëror të Prusisë dhe e mësonin me detyrim në shkollë. E po ashtu, i vunë rëndësi kolosale arsimit profesional. Duke bërë atë, siç edhe kërkoi Bismarku, arsimin profesional nga më të mirët në botë.

Thelbi i arsyetimit tim, lidhet pikërisht me këtë lloj ndihme, në vend të parave. Nëse qeveritarët e ambasadorët e vendit tim, këto tridhjetë vjet, do t’u luteshin Ju dhe të tjerëve, për të krijuar një arsim profesional, tani këtu nuk do të “digjej lumi”.

 

 

Do të mjaftonin pensionistë gjermanë, për të dhënë këtë ndihmë. Akoma ca më shumë, nëse koncernet e mëdha do të krijonin minishkolla a minikurse këtu, për industri të ndryshme. Do të fitonim ne po dhe Ju ndoshta më shumë, se në rastin e infermierëve,.. Sepse, qoftë edhe montimi, apo prodhimi i pjesëve në një vend afër me Ju, do t’u kursente thjesht edhe transportin, edhe do t’u jepte krahun e lirë të punës. E ca më shumë, ndoshta do të fitonim edukatën Tuaj të punës. Kam punuar vetë dikur në Gjermani, e pashë me habi aty ku punoja, në koncernin e madh spitalor që kishte profil rehabilitimin e të sëmurëve. Pata rast të shikoja se,  një pjesë e të sëmurëve punonin në serat e koncernit dhe siguronin ushqimin për vete dhe të tjerë. Kishin reparte pune në miniaturë, që që nga elektronika, kompjuteri e deri te shtypi. Nuk kishte nevojë për shumë efektiv mësimdhënieje. Pensionistë, mjeshtra të vjetër që plotësonin pensionin…

Kjo praktikë ndihme, mund të bëhesh ndoshta dhe me spitalet vetë. Sistemi ynë shëndetësor që mer nga shteti rreth 350 milionë euro në vit e shumë më tepër, i harxhon privati jashtë shtetit, lëngon në mjerim… Është e kuptueshme lëngata,  sepse, veç të tjerave, mungon siguracioni shëndetësor. Do të mjaftonte një ndihmë e Kasave tuaja të Siguracionit, për të kuptuar tek ne, se sistemi shëndetsor bëhet edhe me më pak para, nëse kuptohet problemi. Do të shëronim edhe plagën, që po na krijohet nga braktisja në masë e mjekëve dhe infermierëve.

Ne i kishim dikur, që në kohën e Zogut, shkollat profesionale dhe po ashtu në kohën e Hoxhës. Ca më të dobëta, po i kishim. Tani nuk i kemi më dhe për shumë kohë i zëvendësuam me universitete që nuk i hyjnë në punë askujt. Në thelb edhe nga përtacia, por ndoshta edhe u detyruam, sepse bërja e shkollave profesionale kërkon laboratorë që kushtojnë dhe personel të “tipit gjerman”… Ndaj dhe po këmbëbgul, se principi “Ndihmë për vetëndihmë”, nëpërmjet mekanizmave që përshkrova më lart, do të na shpinte në një rrugë të mbarë.

Ju luta juve, në formë letre edhe për të treguar një histori, që kësaj radhe, nuk është legjendë si ajo e lumit.

Në vitin 1995, ish-Presidenti im (pashë dosjen e vizitës) kërkoi tek Ju, ndihmë për Kavajën, pra që ajo të kishte ujë. Ishte e njëjta kërkesë që 65 vjet më parë, kishte bërë Mbreti i Shqipërisë po Gjermanisë…

Duke mbetur besnik i parimit Tuaj ”Ndihmë për vetëndihmë”, besoj se në vend të infermierëve… që gjithsesi, janë në të drejtën e tyre të shenjtë për të jetuar apo mbijetuar, duke marrë me vete gjithçka, do të ishte më mirë të diskutonit me qeverinë a akademikët tanë, rreth këtij parimi…

Sepse, besoj, se e kundërta do të na shpinte realisht, në djegien e lumit…

Dosja “5D”/ Mariglen Qato edhe Redi Molla i dhanë 11 tendera kompanisë së vet!

Si ranë në pranga 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë

Me firmën e tij ‘avulluan’ 140 milionë lekë në Fier!

Vetting/ ‘Dora e zezë’ e Ceno Klosit edhe tek Inceneratorët!