Një festë lokale i shtohet kalendarit të festave në të gjithë vendin që mblodhi qindra vizitorë në Mirditë, në një atmosferë festive ku u manifestua tradita e pasur kulturore e zonës, produktet bio, kulinaria dhe zejet.
I pranishëm në këtë festë, ministri i Turizmit Blendi Klosi theksoi se sfida e re e Shqipërisë turistike është që t’u ofrojë turistëve jo vetëm bukuritë natyrore por edhe produktet lokale dhe autentike të çdo zone.
Në këtë përpjekje, ministria e Turizmit do të vijojë të mbështesë të gjitha bashkitë në krijimin e festave lokale që spikasin produkte dhe traditën e zonave, derisa këto festa të shndërrohen në traditë.
Ministri i Turizmit kërkoi që bashkitë të nxisin zhvillimin e agroturizmit si një mundësi për punësim, zhvillim të ekonomisë lokale dhe turizëm të diversifikuar.
Kryefjala e bisedës për turizmin është sa vende pune të reja janë krijuar, se si nëpërmjet turizmit t’i jepet mundësi zonave rurale të promovohen dhe të kenë burime ekonomike për familjet.
“Shqipëria nuk duhet të ketë vetëm një sezon veror, por të jetë e vizitueshme ne 365 ditë të vitit, nëpërmjet ofertës së diversifikuar turistike falë edhe krijimit të destinacioneve të reja që mund të promovohen nga rritja e agroturizmit dhe festat lokale”,– theksoi ministri Klosi.
Në festën lokale, përveç panairit gastronomik me produktet e zonës, paradës së veshjeve tradicionale, aktiviteteve muzikore lokale festa solli edhe ritualin e hershëm të dasmës mirditore përcjellë me mjeshtëri nga artistët e Ansamblit “Mirdita”.