MENU
klinika

"Vetëm kur të..."

Koalicion me Albin Kurtin? Isa Mustafa tregon kushtin

08.10.2019 - 14:23

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës, doli e dyta në këto zgjedhje.

Ndërsa ngërçi tani është te formimi i qeverisë, pasi këto dy parti nuk arritën të bëjnë një marrëveshje parazgjedhore. Ndërkaq, LDK-ja ende nuk ka marrë ndonjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se kreu kësaj partie, Albin Kurti që në natën e shpalljes së rezultateve deklaroi se do të flasë me krerët e LDK-së për ta formuar Qeverinë e re.

Por, duket se edhe sikur t’i vijë një ftesë për bashkëpunim, LDK nuk do ta pranojë deri sa të numërohen të gjitha votat, duke përfshirë ato me kusht dhe të diasporës. Këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Do të bisedojmë pasi të përfundojë numërimi i të gjitha votave. Sepse, vetëm kur të përfundojë numërimi, dihet qartë se kush është i pari, respektivisht mandatari”, tha Mustafa.

Ndërkohë bashkëpunimi i dy partive deri më tani opozitare, LDK-së dhe VV-së, ka filluar rreth dy vite më parë kur koalicioni PANA kishte formuar qeverinë.

Si opozitë, këto dy parti patën tentuar të krijojnë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, por kjo nuk ndodhi, pasi Haradinaj dha vetë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Sakaq, para zgjedhjeve të tetorit, këto dy parti patën disa përpjekje për të formuar një koalicion parazgjedhor, por këmbëngulja e të dyja partive për të marrë bartësin e listës çoi deri në dështimin e një marrëveshjeje parazgjedhore.

Megjithëse dështuan në krijimin e koalicionin parazgjedhor, të dy partitë u zotuan se pas rezultateve të 6 tetorit do të bisedojnë për të krijuar koalicionin paszgjedhor dhe për të formuar qeverinë.

Në një intervistë televizive, kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së. Vjosa Osmani, pati thënë se partisë që do të dalë e para në zgjedhje do t’i takojë posti i kryeministrit.

Shumë e thjeshtë, kush i fiton zgjedhjet e fiton pozitën e kryeministrit dhe ne do t’i fitojmë zgjedhjet kështu që natyrisht që edhe ne do ta udhëheqim qeverinë”, deklaroi Vjosa Osmani.

Osmani po ashtu kishte thënë se pas zgjedhjeve mundësia më e madhe për koalicion është me VV-në e Kurtit, ndërkaq ka theksuar herë pas here se me PDK-në e Kadri Veselit nuk do të ketë asnjë diskutim për koalicion.

Shuhen shpresat për heqjen e sanksioneve

Festa për fitoren e Trump, Dodik e paguan shtrenjtë

Mund të rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve Serbi-Kosovë?

Fitorja e Trump, çfarë pret Beogradi nga manjati