Fitorja e parë e Edy Rejas në transfertë me kombëtaren shqiptare vjen në mënyrën më spektakolare të mundshme. Pas disfatave në transfertat ndaj Islandës, Francës dhe Turqisë, kuqezinjtë triumfuan në Moldavi me rezultatin e thellë 0-4 në një ndeshje të cilën e dominuan totalisht dhe mund ta kishin fituar edhe me 5 apo 6 gola diferencë.
Që Shqipëria e kishte hedhur pas krahëve humbjen ndaj Turqisë kjo u kuptua që në fillim, me skuadrën e Rejas që ishte e orientuar drejt sulmit dhe që nuk u vë asnjëherë në vështirësi nga Moldavia. Në minutën e 22-të Sokol Cikalleshi konfirmoi momentin pozitiv që po kalon duke realizuar golin e tij të 4-t në këto eliminatore me kuqezinjtë, me bomberin kavajas që është kthyer në një pikë referimi në sulm që nga momenti që drejtimin e kombëtares e ka marrë 74-vjeçari italian.
Një gol tipik prej sulmuesi ai i Cikalleshit që edhe në ndeshjen e parë ndaj Moldavisë ishte ai që zhbllokoi shifrat. Sfida e Kishinievit ishte fatsjëllse edhe për Keidi Baren që në minutën e 34-t përfitoi nga një gafë e rëndë e portierit vendas për të gjetur golin e tij të parë me kuqezinjtë. Por nuk mbaroi këtu pasi në pjesën e parë kishte vend edhe për golin e parë të Lorenc Trashit me kombëtaren. Një debutim ëndrrash ky për mesfushorin e Partizanit që në minutën e 40-të shënoi një gol të bukur nga një pozicion i prirët nga jashtë zone në krahun e majtë të sulmit.
Edhe fraksioni i dytë i lojës foli totalisht kombëtaren tonë që mund të kishte gjetur golin e 4-t me Keidi Baren por traversa i tha jo mesfushorit fierak.
Në minutën e 89-të kishte vend edhe për debutimin e dy talenteve kuqezi Marash Kumbullës dhe Lindon Selahit të cilët me këto pak minuta që luajtën ndaj Moldavisë do të veshin përgjithmonë fanellën kuqezi çfarëdo që të ndodhë me karrierën e tyre.
Hyrja e dy të rinjëve i solli fat Rey Manajt që përfitoi nga një asist perfekt pas një shpërthimi të Roshit në të djathë të sulmit duke realizuar me finte një gol spektakolar për shifrat finale 0-4. Me këtë gol Manaj shleu të gjitha gabimet për rastet e humbura në ndeshjen ndaj Turqisë.
Në shtesë Roshi kishte mundësinë ideale t’i çonte në 0-5 shifrat por gaboi përballë portierit moldav Coselev.
Me këtë fitore Shqipëria u ngjit në kuotën e 12 pikëve dhe një sukses ndaj Andorrës modeste në ndeshjen e ardhshme do të vendoste një rekord përsa i përket pikëve të grumbulluar ndonjëherë në një fushatë eliminatore.