MENU
klinika

Zgjedhjet e parakohshme

Kosova sot në zgjedhje! Nisin përplasjet

06.10.2019 - 08:40

11: 10/ Zgjedhjet/ KQZ zbardh të dhënat zyrtare: Ja sa qytetarë votuan deri në orën 11:00

Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se deri në orën 11:00 në Kosovë kanë votuar rreth 9.64 për qind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

“Ju njoftoj se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar.

Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga rreth 94 përqind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë votë që kanë votuar deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues, nga 9.64 për qind, nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45 përqind e votuesve. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në ueb faqen e KQZ-së të cilës mund t’i referoheni”, ka thënë Daka në një konferencë për media.

10:38/ Zgjedhjet në Kosovë, votojnë krerët e politikës: Ditë e jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit!

Krerët më të lartë të politikës kosovare iu janë drejtuar këtë paradite kutive të votimit, duke hedhur votën e tyre, teksa vendi po zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi ka nisur në të gjithë vendin prej orës 07:00, ndërsa deri më tani kanë votuar Presidenti Hashim Thaçi, dhe kandidatët për kryeministër, Kadri Veseli, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj.

Të gjithë këta politikanë shoqëroheshin nga bashkëshortet e tyre, në momentin e votimit, ndërsa në mesazhin e tyre drejtuar qytetarëve nuk është thënë asgjë politike, por vetëm është bërë thirrje që të merret pjesë masivisht në votime.

Mesazhi i Fatmir Limajt: Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka çdo qytetar i Kosovës për të shprehur vullnetin e tyre të lirë, për t’i dhënë mundësi dhe shans vendit. Jam i bindur dhe shpresoj e pres që vota e qytetarëve të Kosovës do t’i jap siguri vendit, përspektivë dhe mundësi që t’i bëjë hapat e duhur. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë sipas bindjes së tyre dhe sonte në mbrëmje të kemi një rezultat që i siguron përspektivë e siguri vendit

Mesazhi i Vjosa Osmani: Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj dite historike. Besojë shumë që nëpërmjet një procesi fer të lirë dhe demokratik Kosova sot, do të ketë arsye për të festuar. Urojë që gjithçka të shkojë pa asnjë presion.
Mesazhi i Hashim Thaçit: Dëshirojmë që t’i urojmë qytetarët e Kosovës, i ftojë ata që të votojnë për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurte të Kosovës. Urime të gjithëve.

Mesazhi i Ramush Haradinajt: Edhe ne votuam. I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.Mesazhi i Albin Kurtit: Sot është një ditë e veçantë, të gjitha partive u përgjigjet populli. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur, i varfër, nga qyteti ose jo, të gjithë jemi të barabartë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë këtë shans unik për karakterin dhe të jashtëzakonshëm për nga pesha. Të presim në orët e mbrëmjes që votimin masiv ta shndërrojmë në një festë masive.

Mesazhi i Kadri Veselit: Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, përhajr na qoftë të gjithëve.

09:20/ Zgjedhjet, Thaçi: Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve, le të fitojë Kosova

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë.

Ai ka shkruar se qytetarët duhet të dalin në votime në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve të e vendit, ndërsa shpreson që procesi elektoral të jetë i drejtë, i lirë dhe fer.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara.

Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova.”, ka shkruar Thaçi.

09:00/ Kreu i Listës Serbe i “hedh benzinë zjarrit”: Pse nuk guxojnë të votojnë me letërnjoftim serb?!

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka folur për incidentin që u shënua në këtë zonë, teksa u përplasën komisionerët serbë për mënyrën e votimit, duke u bërë shkak për vonimin e hapjes së dy qendrave të votimit, që ndodhen aty.

Në një prononcim për T7 live nga Mitrovica e Veriut, Rakiç fillimisht ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin masivisht në votime, për një jetë më të mirë.

“Qysh keni mujt me pa serbët e Mitrovicës kanë dal masivisht me votu, po dalim për një jetë më të mirë për ta ngritë zërin”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur me incidentin e ndodhur sot në Zveqan dhe Leposaviç, Rakiç ka deklaruar se të gjithë ata që kanë emrat në listë duhet të votojnë, derisa, shton se nuk e kupton pse nuk mund të votohet me letërnjoftim serb.

“Secili duhet me kuptu që emri i secilit që është në listë duhet me votu, nuk e kuptoj pse nuk guxojë me votu me letërnjoftimin serb, kur emri i atij personi figuron në listë”, ka thënë Rakiç.

07:42/ Shënohet incidenti i parë në Kosovë, përplasen komisionerët serbë në veri

Në të gjithë Kosovën janë hapur prej orës 07:00 qendrat e votimit për të gjithë qytetarët. Mediet kosovare raportojnë se vetëm një orë pas hapjes së qendrave të votimit është shënuar incidenti i parë. Raportohet se në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç, procesi i votimit ka filluar me vonesë, pasi disa komisionerë serbë janë përplasur mes tyre për mënyrën e votimit.

Disa prej tyre kanë kërkuar që votimi të bëhet me letërnjoftim serb, ndërsa disa të tjerë kanë insistuar të respektohet vendimi i KQZ-së, që në veri të Mitrovicës të votohet me letërnjoftim të Kosovës.

Në Komunën e Mitrovicës janë hapur 28 qendra votimi me 104 vendvotime. Të drejt vote në këtë komunë kanë mbi 80 mijë votues. Qendra më e madhe votimit në Pejë është hapur me kohë.

Sipas menaxherit të qendrës, Arben Gjikolli, 93 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë mundësi të votojnë në 23 qendra të votimit.

07:20/ “Çdo votë numërohet”! Ambasadori i SHBA thirrje qytetarëve kosovarë: Votoni për të ardhmen tuaj!


Ambasdori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka reaguar lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që po mbahen në Kosovë, përmes një postim në “Twitter”.

Kreu i diplomacisë amerikane iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë të dalin të votojnë, duke iu thënë se çdo votë numërohet.

“Në Kosovë, si në Amerikë, çdo votë numërohet. Cdo zë ka rëndësi. Cilado qoftë pikëpamjet tuaja, këdo që të mbështesni – më 6 tetor, dilni dhe votoni. Për veten, për vendin tënd, për të ardhmen tuaj”, ka shkruar Kosnett.

07:00 Kosova zhvillon sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Kosova zhvillon sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Qytetarët do iu drejtohen gjatë gjithë ditës kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament, ndërsa ka nisur votimi në të gjithë vendin prej orës 07:00.

Janë 1,937,869 persona që sot kanë të drejt vote, të cilat do të kenë mundësi të votojnë për 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, me 1 067 kandidatë për deputetë.

Numri i Qendrave të Votimit është 895 me 2 mijë e 547 vendvotimeve. Kurse, numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje është 111 mijë e 733 votues.

"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi