“Një njeriu të zakonshëm, të ardhur nga qyteti ortodoks i Manastirit, Shkodra i duket fillimi i Europës”, – Ismail Kadare
Është qyteti i tipareve më të hareshme. Qyteti i kulturës. Qyteti i jareve. Qyteti që mban vendin e parë për humorin. Ka nxjerre emra të mëdhenj të letërsisë, muzikës, historisë edhe shkencës.
Shkodra dallon për një shumëllojshmërinë urbanistike dhe arkitektonike, me shtëpitë më të vjetra me 1-2 katëshe kanë bahçe e oborre të gjelbërta e me lloj-lloj lulesh. Rrugët janë të ngushta të skalitura (rrugë të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga edhe gojdhënat, si rrugët-lagje “Sarreqi”, “Gjuhadoli”, “Arra e Madhe”.
Qyteti dhe zonat përreth janë të bekuara me një shumëllojshmëri t’elementeve si natyrore ashtu edhe kulturore. Lagjet më tërheqëse mendohen të jenë Pìaca (është i vetmi qytet në Shqipëri që e quan kështu qendrën e tij), e identifikuar si qendra e qytetit me në qendër statujat e Nanë Terezës dhe Luigj Gurakuqit, dhe Sarreqi, Gjuhadoli (lagje e rrugë vjetër, emri i së cilës paraqet lodhjen e udhëtarëve që vinin nga Kalaja deri aty) dhe një nga rrugët me skenike,- ku shihen arkitekurat e shumta dhe dora e Kólë Idromenos në disa ndërtesa,- që lidh Katedralen nga ana lindore e qytetit me qendrën e qytetit.
Teksa ecën rrugicave të qytetit të lashtë, ndihet ende aroma e Shkodrës së prozës së Koliqit, apo e ajo pjesë e vërtetë e saj, në veprat e Kolë Idromenos e Simon Rrotës. Ndërtimet më të vona të shekullit XX në Shkodër, kanë ndikim nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.
Si qyteti i vjetër i kulturës, Shkodra numëron rreth 90 monumente që spikasin, të periudhës antiko mesjetare: Kalaja e Rozafës, me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i përiudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit, Sahati i Inglizit, Ura e Mesit.
Ndërsa në pjesën e re të qytetit ekzistojnë sot, pas shkatërrimeve komuniste, këto objekte kulti dhe istitucione fetare: Xhamia “Ebu Beker”, Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodrës, Kisha françeskane, Kisha orthodokse (mozaikët e të cilës, mbajnë emrin e Pjetër Marubit), Medreseja “Sheh Shamia”, Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan – Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi “At Pjetër Meshkalla”, Instituti Katekistik Shqiptar etj; institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti “Luigj Gurakuqi” i themeluar në vitin 1957, Biblioteka “Marin Barleti”, Fototeka “Marubi” – më e madhja në Shqipëri, Teatri Migjeni, Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Radio “Shkodra” etj.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit. Ndërsa qendrat e Shirokës e të Zogajt, janë shumë të vizituara nga turistë të huaj dhe ata vendas. Po të ecni vetëm 5 km në lindje të Shkodrës, do të gjendeni në qytezën mesjetare të Drishtit.
Shumë vizitorë ndjejnë se Shkodra është shpirti i Shqipërisë. Shtëpitë e vjetra, rrugëve të ngushta e shoqëruar me muret prej guri dhe ndërtimet modern i japin Shkodrës, një pamje krejt të rrallë dhe shumë karakteristike.
Pas Luftë së Dytë Botërore u rindërtua me rrugë më të gjera, që të përshtateshin me mjete e reja të transportit dhe ndërtime të reja rezidenciale po ndërtohen vazhdimisht. Shkodra ka dhe stadiumin e famshëm Loro Boriçi, stadiumi i dytë më i madh në Shqipëri, e rreth sporteve ishte qyteti i parë me shoqëri sportive Vllaznia i themeluar në 1919.
Kalaja e Rozafës
Në periudhën e ndërtimit të kështjellës, treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve, lundrimtarë e tregtarë të zotë. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet, që daton në vitin 230 p.e.r. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, SΚΟΔRΙΝΩΝ. Në vitin 181 p.e.r. bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore deri në lumin Naretva (thuhet edhe deri në Friulin e sotëm, në Itali).
Gjatë shek. II p.e.r. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168, pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Kështjella e Rozafës është monumenti historik më antik. Ajo është vendosur në pikë strategjike, për të kontrolluar fushat përreth, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje.
Në muret rrethuese të kalasë, që përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII) dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).
Qyteti antik dhe mesjetar shtrihej përkatësisht përreth akropolit, kalasë dhe ishte i mbrojtur edhe me mure të jashtme rrethuese. Pamja e sotme e kështjellës i detyrohet punës që u bë nën drejtimin e venecianëve. Ndër të parat punime me karakter të përhershëm, ishte ndërtimi i saranxhave, në vitin 1394, ku mblidhej uji i shiut me anë ujësjellësve prej gurit dhe derdheshin brenda për ta pasur si depozitë në rast rrethimi nga armiku.
Prej viti 1461-1474, vazhdoi forcimi i mureve të kalasë, ku punuan mjeshtra vendas dhe dalmatë; brenda kësaj kohe u mor pjesa verilindore që ishte pronë e familjes shkodrane Jonima, duke i dhënë si shpërblim për këtë, ndërrim tokë afër kishës së Shën Vlashit, ku tani është Hamami.
Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe të lidhur me qytetin e Shkodrës, ka një gojëdhënë popullore e baladë. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë, – si këshillë nga një plak, tregon legjenda, – si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq, që shkatërronte muret për çdo natë.
Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e të cilës, për të pranuar sakrificën ishte t’i linin anën e djathtë të trupit «sýnin e djathtë qi t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi ta mbâj, gjinin e djathtë qi ta ushqej, kâmben e djathtë qi me përkûnd djepin», që të kujdesej për të birin e sapolindur.
Brenda mureve antike të kalasë së Rozafës, gjendet muzeu kushtuar historisë dhe legjendës së kështjellës. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë, Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe. Të tria këto ekzistojnë edhe sot.
Humanisti dhe historiani shqiptar, Marin Barleti, më 1504-ën shkruan në “Rrethimi i Shkodrës”: “Na patën rënë në dorë disa shkrime… Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza, me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themeluesit e parë të Shkodrës e prandaj, fortesa e saj quhet Rozafa”. Ekziston një variant i baladës, ku gjithçka kryhet nga Roza e Fa, sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por, Barleti nuk i përmend as situatat dhe as flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist.
Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje, shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Kështjella ndahet në tre sektore (oborre). Më i rëndësishmi është i fundit, ku kishte qendrën kapiteneria ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shekullit XV.
Shkodra ose “Kryeqyteti moral i Shqipnisë” – sipas Dom Lazër Shantojës!