Nëse kënga suliote, që më vonë u greqizua e bënte atë ‘aslan tis Arvanitias’ (luani i Shqipërisë), në variantin e këngës kosovare Gjoleka quhet nga anonimi popullor si ‘komandant i Gegënisë e i Toskënisë’./Konica.al
Është thënë shumë për Zenel Gjolekën, prijësin e kryengritjeve në kohën e Tanzimatit. Në Shqipërinë e pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, flakët e kryengritjes do të shkëndijonin prej jugut deri në veri.
I lindur në Kuç të malësisë së Kurveleshit, i biri i Hito Gjolekës dhe Sabo Qordukes do të argasej shpejt me ashpërsitë e jetës. I shkolluar edhe në gjimnazin ‘Zosimea’ të Janinës, Zeneli do të gjente vetën midis zjarrit të betejave, fillimisht si prijës u trupave të parregullta në ushtrinë osmane, shkruan Konica.al.
Nami i tij do të fitonte zemrat dhe mendjet e fshatarësisë së revoltuar në viset e jugut, prej Vlorës deri në Çamëri.
Brenda një kohe të shkurtër, emri i tij do të përmendej herë me drojë e herë me admirim edhe në Greqinë e sapokrijuar. Sipas historianit grek, John Koliopolus, në kohën kur mbreti bavarez Oto u fronëzua në Greqi, çetat e Gjolekës endëshin prej Thesalisë deri në afërsi të Athinës.
Por, Gjoleka shpejt do të pështillej me velon e një legjende të gjallë edhe në veri, madje edhe në Kosovë. Në vitin 1852, ai në krye të qindra luftëtarëve nga Labëria do të luftonte kundër inkursioneve malazeze në Podgoricë.
Rënia e tij do të përjetësohej me admirim në lahutat e çiftelitë e rapsodëve gjithandej veriut.
Nëse kënga suliote, që më vonë u greqizua e bënte atë ‘aslan tis Arvanitias’ (luani i Shqipërisë), në variantin e këngës kosovare Gjoleka quhet nga anonimi popullor si ‘komandant i Gegënisë e i Toskënisë’.
E kënduar prej vitësh në disa motërzime nga rapsodë si Riza Bllaca, Sali e Feriz Krasniqi, Bajrush Doda dhe Augustin Ukaj, kënga kosovare evokon kohën kur Gjoleka luftonte kundër ‘knjazit të Cetinës’.
Portali Konica.al sjell një nga variantet e këngës, ashtu siç këndohej nga Bajrush Doda:
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka pe flet nji fjalë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka po e flet një fjalë.
Po na i ban, mor, po i ban, po i ban varret me vaje,
Hej e hej mor, po na i ban varret me vaje.
Po na i len mor, po i len, po i len nanat pa djalë,
Hej e hej, mor, po na i len nanat pa djalë.
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka po i hyp’ dorisë
Hej e hej, mor, Gjon Leka po i hyp dorisë.
Gjan’ e gjat’, mor, gjan e gjat, gjan’ e gjat’ po shkon çarshisë,
Hej e hej mor, gjan e gjat’ ja lshon çarshisë.
Shkon tuj ble mor, shkon tuj ble, shkon tuj ble barut shahisë,
Hej e hej mor, shkon tuj ble barut shahisë.
Gjon Leka, mor Gjon Leka, Gjon Lekën pe tretë gajretin
Hej e hej mor, Gjon Lekën pe tretë gajretin.
Asht idhnu’ mor asht idhnu’, asht idhnue krejt mileti.
Hej e hej, mor, asht idhnue krejt mileti.
Se po merr, mor, se po merr, se po merr haraç me veti
Hej e hej, mor, se po merr haraç me veti.
– Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku ma le atin?
– Hej e hej, mor, Gjon Leka ku ma le atin?
– Ma ka ma marrë, mor, ma marrë, ma ka vjedhë ai Leka i Gati.
– Hej e hej mor ma ka marrë ai Leka i Gati!
– Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku e le dorinë?
– Hej e hej, mor, Gjon Leka ku e le dorinë.
– Ma ka marrë, mor, ma ka marrë, ma ka vjedhë, Knjazi i Cetinës,
– Hej e hej, mor, ma ka vjedhë Knjazi i Cetinës.
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka i pari i parisë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka i pari i parisë.
Komandant, mor, komandant, komandant i Toskënisë,
Hej e hej, mor, komandanti i Toskënisë.
Komandant mor komandant, komandant i Gegenisë,
Hej e hej, mor, komandant i Gegenisë.
Hej e hej, mor, komandant i gjithë Shqipnisë!