Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti ka vendosur që fitoren e tij ta festojë edhe në Tiranë.
Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë ka njoftuar se Albin Kurti do të jetë pasditen e kësaj të diele në kryeqytet, ku do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse para të ftuarve, në orën 19.00 në ambientet pranë Kinema Millenium.
Lëvizja Vetëvendosje u rendit forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit dhe pas rezultatit të marrë, Albin Kurti pritet te jetë edhe kryeministri i ri i Kosovës.
Vizita e Kurtit në Tiranë do të jenë vetëm në kuadër të festimeve, ndërkohë dy ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të takohet me kandidatin për Kryeministër të Kosovës duke zbuluar edhe propozimin që do i bëjë Albin Kurtit për vendosjen e një ministri Shteti për Kosovën në Shqipëri dhe dhe e kundërta, si ndërlidhësi kryesor i marrëdhënieve mes dy vendeve.