MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Kush âsht problemi i shqipfolësit? Vetëm standarti i 1972-it, jo!

28.10.2019 - 14:15

Deri kah viti 2010 kam avokue në mënyrë ortodokse për standardin e 1972-ës. Vitet pasuese kam ndërru mendim e jam purtek ma tepër kah përdorimi vetjak i nji gegnishte të letrarizume.

Por nji hipotezë e Rule-Levine mbi “International Art English” m’ka shërbye si shkas për nji vramendje ma të thellë: simbas dy studiuesve në fjalë, anglishtja ndërkombëtare e artit – ajo gjuhë që përdoret nga artistë, piktorë, kineastë, kritikë, etj – “ka të bajë gjithçka me anglishten por âsht theksueshëm jo-anglishte”.

Pra, gjithandej botës, folësit e këtij “standardi” kanë ba që identiteti i tij me qenë jo-anglez.

Natyrisht paralelja me “koinenë” e shqipes së vitit 1972 nuk qëndron. Letrarçja nuk âsht ba jo-shqipe e as përdoruesit e saj nuk janë jo-shqipfolës.

Por përdorimi mbi katër dekada i letrarishtes ka ba që tabani i saj “tosk” ngadalë me u bjerrë e identiteti i saj me qenë inkluziv.

Pra, cenet ekspresive të nji shqipfolësi në Kosovë kanë të bajnë ma s’pakti me standardin. Këtu bjen ngrehina kryesore e atyne që ngulmojnë për nji standard të rishikuem (si kërkesë ma e moderueme kundrejt atyne që kanë kërku nji standard geg).

kolana e librave

Ka ma shumë se 8 vjet që shpesh më bjen me transkriptue intervista njerëzish nga Prishtina, Tirana, etj. Ndryshe prej nji interviste të nji anglishtfolësi ku transkriptimi s’ka nevojë thuejse për ndërhyrjen tem, ajo e nji shqipfolësi nuk ka kurrfarë koherence sintaksore e logjike.

Nëse e transkriptoj nji intervistë shqeto, teksti ka me qenë nji grumbull fjalish të ndërpreme në gjys’, formulime që nisin në të tashmen e përfundojnë në të kaluemën, me nji fjalë nji sintaksë dhunuese që e mpak leksikun mozamakeq.

Nuk âsht problemi te standardi, te koineja jonë, por te faktorë larg ma të ndërlikuem e mbase edhe jashtë-gjuhësorë.

Ky derri që e fitoi Nobelin, Peter Handke e kish pas nji hipotezë interesante me gjuhën, nji rebelim hajdeggerian ndaj gjuhës që, simbas tij, na përçon njohje të rreme të botës. Ajo e Hajdegerit dikur kishte qenë “qenia banon në gjuhë”, kurse e Orwellit (sikur e Sapirit) që gjuha e përcakton mendimin.

Veç standardi i 1972 nuk âsht problemi i shqipfolësit, për këtë jam i bindun!