MENU
klinika

Përkthyesi-mjeshtër i Saadiut

Kush ishte orientalisti shqiptar i mohuar nga diktatura?

20.10.2019 - 12:31

       Si një personalitet i shquar në shumë fusha, Vexhi Buharaja njihet për punën e tij si orientalist. Kryesisht turkolog, ai kishte një përgatitjeje të gjithanshme të tij, si njohës me themel i shumë gjuhëve të huaja të Lindjes e të Perëndimit, përgatitjes së tij të thelluar shkencore, si filolog dhe historian, njohës si rrallëkush në vendin tonë i teologjisë dhe kulturës islame dhe i historisë së Islamizmit dhe i sekteve të tij, mjeshtër i gjuhës shqipe./Konica.al

Atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian e studiues, lindi më 12 maj 1920 në Berat, në një familje intelektuale. Ai njihte jo vetëm gjuhët lindore të sotme dhe të atyre të vdekura, si persisht, arabisht, osmanishte dhe turqisht, por edhe të atyre perëndimore, si anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht. Mësimit të gjuhëve të huaja Buharaja u hynte me themel dhe jo sa për një shfrytëzim praktik, për interesa të çastit. Si i tillë, ai ishte një filolog poliglot në kuptimin e plotë të fjalës. Studimi i historisë së Shqipërisë për periudhën osmane në nivelet e arritura do të ishte i pamundur pa kontributin e shumë përkthyesve dhe studiuesve që kanë punuar pranë Institutit të Historisë, Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, si Myqerem Janina, Tahir Dizdari, Haki Sharofi, Jonuz Tafilaj, Nezir Leskoviku, Andrea Sahatçiu etj. Midis gjithë këtyre njohësve të zotë të gjuhëve të rralla të Lindjes, nuk ka dyshim që në një vend të veçantë jo vetëm si përkthyes, por edhe si studiues zë Vexhi Buharaja.

 

Si orientalist, Buharaja shquhet në tri drejtime: për pikëpamjet e tij lidhur me qytetërimin islam, për përkthimet prej mijëra faqesh të dokumenteve osmane të të gjithë shekujve dhe të shumicës së llojeve të shkrimeve dhe të dokumenteve dhe çka edhe më shumë vlerë dhe si studiues kompetent i problemeve jo të lehta të historisë së kohës si përkthyes i poetëve klerikë persianë. Me punimet e tij, Vexhi Buharaja ka dhënë një ndihmesë të madhe dhe të pazëvendësueshme në fusha të tilla të vështira dhe pak të lëvruara jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë, si paleografia diplomatike dhe epigrafia osmane në terrenin e burimeve të këtij lloji që bëjnë fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për Ballkanin në përgjithësi. Ai ka zbërthyer me kompetencë dhe me durim lloje të ndryshme shkrimesh, siç janë ato të regjistrave kadastrorë të shekujve XVI etj., lloje të ndryshme dokumentesh që nga ato të këtij shekulli deri në fund të sundimit osman në vendin tonë. Punimet e Vexhi Buharasë në këto fusha mbeten model dhe një ndihmë për çdo studiues të këtyre fushave dhe, madje, edhe udhërrëfyes./Konica.al

I lënë në hije nga regjimi monist, më 1993 këtij orientalisti të shquar iu dha dekoratë e lartë nga Presidenti i Republikës, kurse më 1995, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së tij u organizua një sesion shkencor me nismën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Saadi Shirazi” të Iranit në Tiranë.

Në përkthimin e Vexhi Buharasë kemi veprën e mirënjohur “Gjylistani dhe Bostani”, një nga yjet më të ndritshëm të letërsisë persiane, siç është Saadiu, i krahasuar me Shekspirin, i mbiquajtur ndryshe “Shekspiri i Lindjes”, përmbledhjen poetike të Naimit “Ëndërrime”, shkruar turqisht dhe prozën e gjatë poetike të tij “Katër stinët” shkruar turqisht, etj. Është për t’u habitur se si Vexhiu ia ka dalë të rikrijojë në gjuhën shqipe ato mijëra vargje të Saadiut, se ashtu si poetët Naimi, Çajupi, Lasgushi, Noli dhe bashkë me ta edhe Vexhi Buharaja, nuk i kanë përkthyer, por rikrijuar me frymëzim e mjeshtëri në gjuhën shqipe veprat e një vargu autorësh të shquar të letërsisë botërore.

 

Përveç përkthimeve të shumta të dokumenteve historike, përveç përkthimeve të kryeveprave botërore, përveç përkthimeve të veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkruar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë”, “Haxhi”, etj. të botuara në revistën “Zëri i Naltë”, “Njeriu” etj.

Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), kurse më 6 korrik 1994 Biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin Biblioteka “Vexhi Buharaja”. Vdiq më 5 korrik 1987./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”