MENU
klinika

Ja ç'po ndodh me politikën në Kosovë

LDK dhe Vetëvendosje drejt koalicionit

19.10.2019 - 10:34

Përfaqësuesit e LVV-së dhe të LDK-së kanë thënë dje se janë dakordsuar me përmbajtjen dhe me parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Pas një takimi që patën të premten, këto dy subjekte njoftuan se të mërkurën e ardhshme do të takohen sërish për t’i konkretizuar diskutimet e djeshme.

Dy grupet punuese, të formuara nga dy partitë më të mëdha të dala nga zgjedhjet, LVV-ja dhe LDK-ja, për të diskutuar për harmonizimin e programit qeverisës kanë zhvilluar takimin e parë gjatë ditës së djeshme. Përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve thanë se në këtë takim është folur për reformat e thella sektoriale, të cilat e presin qeverinë e ardhshme. Ndërsa thanë se nuk kanë diskutuar fare për ndarjen e ministrive, zyrtarët e këtyre partive pohuan se janë dakordsuar për përmbajtjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Pjesëmarrësit e takimit mohuan të kenë shpalosur kushte për bashkëqeverisje gjatë diskutimit të së premtes. Sidoqoftë, pas takimit nuk u dhanë shumë hollësi, ndonëse dy palët biseduan për më shumë se një orë. Përkundrazi, menjëherë pas takimit të mbajtur të premten në Selinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, LVV-ja dhe LDK-ja lëshuan një komunikatë për medie, përmes së cilës njoftuan se takimin e radhës do ta mbajnë të mërkurën e javës që vjen.

Pjesëmarrësit e cilësojnë të shkëlqyer takimin

Në deklaratën e tij kandidati për deputet i LVV-së Glauk Konjufca tha se në takim është diskutuar rreth temave dhe reformave rrënjësore që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës. “Janë folur temat më të rëndësishme, të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat e thella sektoriale, që duhet t’i ndërmarrë qeverisja e ardhshme e LVV-së së bashku me LDK-në”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Konjufca nuk pranoi të japë shumë detaje lidhur me harmonizimin e programit dhe çështjet e tjera, që u diskutuan në takim. “Nuk mund të flas në hollësi, sepse mendojmë që gjëja më e mirë që do të mundë t’i kontribuonte kësaj atmosfere të mirë të bashkëpunimit, me të cilat filluan takimet tona, do të ishte njëfarë lloj mirëbesimi që e kemi ne në trajtimin e temave. Kështu që krejt çka do të mundë të thosha sot është se ne kemi nevojë për reforma të thella në arsim, në shëndetësi, në administratë”, nënvizoi ai.

Gjatë deklaratës së tij Konjufca mohoi që gjatë takimit të jetë diskutuar për ndarjen e ministrive. “Nuk është folur as për ministri, as për ndarje të resorëve”, shtoi ai. Gjithashtu siguroi se asnjëra palë nuk ka paraqitur asnjë lloj kushti në takimin e së premtes.“Nuk ka pasur kurrfarë kushtesh, takimi ka qenë i shkëlqyeshëm dhe mendoj se kjo është rruga e duhur. As ne nuk kemi kushte për LDK-në, as ata nuk kanë kushte për ne. Ky nuk ka qenë takim i kushteve, ka qenë takim shumë i mirë, ku janë folur temat më të rëndësishme që e presin qeverinë e ardhshme”, ka potencuar ai.

Meqë në takim është diskutuar edhe rreth politikës së jashtme, Konjufca ka pohuar se ndër temat e ngritura ka qenë edhe ajo e dialogut. “Janë diskutuar temat duke filluar prej atyre politike, politika e jashtme, politika e brendshme. Njëra prej temave sigurisht që është edhe dialogu”, ka shtuar ai.

Takimi i dytë i grupeve punuese, të mërkurën

Në deklaratën e përbashkët të LVV-së dhe të LDK-së të lëshuar për medie thuhet se ekipet punuese janë dakodruar me përmbajtjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. “Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe të LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe me parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast u bë e ditur se takimi i radhës në kuadër të grupeve punuese do të mbahet në mesin e javës që vjen. “Në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale, të cilat e presin qeverinë e re. Palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën, në orën 15:00, për t’i konkretizuar diskutimet e sotme”, theksohet tutje.

Në takimin e djeshëm LVV-ja është përfaqësuar nga Glauk Konjufca, nga Besnik Bislimi dhe nga Albulena Haxhiu. Kurse LDK-ja nga Lumir Abdixhiku dhe nga Avdullah Hoti.

Ky takim ka qenë i pari në kuadër të grupeve punuese. Ndërkohë katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ishin takuar krerët e këtyre dy partive politike. Ata nuk do të takohen deri pas certifikimit të rezultateve.

Sipas rezultateve paraprak të zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-ja ka dalë partia më e votuar, ndërsa LDK-ja është radhitur subjekti i dytë për nga numri i votave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deputeti i Vetëvendosjes akuzon

‘Thaçi po ia shet Kosovën Serbisë’

Përmbledhja ditore e rajonit

‘Thaçi nuk e ka përkrahjen e popullit’


Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KiE,

Petkoviç: Pranimi i Prishtinës zyrtare, gjest armiqësor karshi Serbisë

Vuçiç dhe Dodik trazojnë sërish Ballkanin

Dy liderët bashkojnë forcat për të shpallur “Botën Serbe”

“Serbia do shpallet shtet gjenocidal!”

Deklarata ‘bombë’ e Vulin: Dodik do arrestohet

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe reagon ashpër ndaj KiE

“Anëtarësimi i Kosovës, një gjest armiqësor ndaj nesh”