MENU
klinika

"Monument kulture i harruar"

Lezhë, kisha e Shën Premtes i shpëton rrënimit

21.10.2019 - 14:57

      Është një prej kishave më të vjetra të veriut të Shqipërisë. Kisha e Shën Premtes gjendet në fshatin Balldren, Lezhë. Prej pak kohe, po punohet që kisha e vjetër të jetë një mundësi më shumë për vizitorët.

Dom Nikë Ukgjini, i cili pak vite më parë shndërroi në kompleks muzeal kishën e Ndre Mjedës në fshatin Kukël, tregon se Kisha e Shën Premtes në Balldre është shpallur monument kulture, kjo prej vitit 1981.

Për shkak të mungesës së kujdesit, kohët e fundit, kjo kishë e vjetër po shkonte drejt shkatërrimit, që po rrezikonte kështu një nga objektet e rralla të krishtera që i përket shekujve XII-XIII.

 

 

Pas vitit 2017 dhe në vazhdim i gjithë objekti ka mbetur në harresë, kështu që faktikisht ishte i kërcënuar nga shkatërrimi i afreskeve brenda në pjesën e apsidës. Çatia ishte dobësuar, pa dyer dhe pa dritare dhe çdo gjë i ishte nënshtruar një shkatërrimi të mjerueshëm. Dhe kjo më nxiti të konsultohem me disa donatorë, me disa miq të mi, dhe të fillojmë të bëjmë të mundur shpëtimin e këtij objekti, që ka një vlerë të rradhë për kulturën shqiptare”, – thekson studiuesi, Dom Nikë Ukgjini.

Specialistët po punojnë për zhveshjen e mureve anësore të kishës, për të nxjerrë në pah gjurmët e mbetura të afreskeve dhe për t’i restauruar e ruajtur ato. Në këtë mënyrë, synohet që ky monument shumë i rëndësishëm të jetë i vizitueshëm nga të gjithë.

 

 

Restauruesi Zamir Marika, që prej tre muajsh punon në brendësi të kishës së Shën Premtes, thotë se ajo që ka befasuar studiuesit e artit është zbulimi i pikturave murale në brendësi të kishës, piktura që dëshmojnë për hershmërinë e artit kishtar në Shqipëri.

Për nga vlera, hyjnë ndër pikturat e rralla të kishave katolike në territorin shqiptar, ku ndërthuren elemente stilistike të gotikut perëndimor me atë romano-gotiko-bizantin. Faza e parë, janë mbetje të pikturës të fundit të shekullit XII dhe fillimit të shekullit XIII. Ende nuk është studiuar, për të pasur një mendim përfundimtar për këtë. Është një pikturë e stilit goti perëndimor. Faza e dytë dhe e tretë, i përket stilit romano-gotiko-bizantin”, – shpjegon hollësisht, zoti Marika.

Studiuesi Ukgjini, thotë se rreth 70 kisha të vjetra në veri të Shqipërisë, u shkatërruan ose u dëmtuan gjatë periudhës osmane dhe asaj të komunizmit. Nga kjo dallgë shkatërrimi kanë shpëtuar si struktura të plota, vetëm tri kisha të vjetra; ajo e Balldrenit, e Rubikut dhe kisha në Pllanë.

 

 

Pas përfundimit të restaurimit të këtij objekti, shpresojmë që në fillim të nëntorit të bëhet përurimi i të gjithë këtyre punimeve kolosale, të bëhet diçka edhe për kishën në Pllanë. Projektet janë të bame prej Ministrisë së Kulturës, por aq kanë ba për arsye të kushteve financiare. Dhe detyrohet kisha që t’i marrë këto objekte dhe t’i ketë nën kontroll dhe të investojë, aq sa është e mundur, që të shpëtohet kjo kulturë mijëravjeçare”, – shprehet, zoti Ukgjini.

Studiuesi Ukgjini, apelon për më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar dhe veçanërisht nga Monumentet e Kulturës, që janë përgjegjëse drejtpërdrejt, për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve që dëshmojnë trashigiminë e popullit shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Letra prekëse, një natë para se ta vrisnin komunistët

‘1 ledhatim dhe 10 fshikullime, mësohu me jetën’

Kur përkthehej Enver Hoxha në takimin me Mao Ce Dun-in

” Arti i përkthimit gojor dhe Ankthet e përkthyesit”

Profeti Muhamed për krishtërimin

“Askush prej myslimanëve nuk guxon”