MENU
klinika

Dikur bëhej plazh, sot...

Lumi Ishëm në Lezhë vazhdon të ndotet!

28.10.2019 - 17:59

Lumi Ishëm në Lezhë prej vitesh vijon të ndotet në mënyrë të tmerrshme nga njerëz të papërgjegjshëm, të cilët hedhin në të mbetje nga më të ndryshmet, si mbeturina shtëpiake, qesë plastike e shishe qelqi… por jo vetëm.

Banorë të zonës shprehen se nga ndotja kundërmon edhe një erë mbytëse e padurueshme,  e cila rëndohet gjatë mëngjesit dhe darkave. Sipas tyre lumi nuk kryen asnjë funksion, pasi dikur me ujin ata ushqenin kafshët shtëpiake, ndërsa sot kjo gjë është e pamundur,  pasi nëse e pinë ujin sipas banorëve ato mund të ngordhin.

“Lumi Ishëm është tepër i ndotur. Asnjë gjallesë nuk është në lumin Ishëm. Vjen shumë erë e keqe sidomos në darkë e në mëngjes nuk rrihet. Na ka dëmtuar edhe gjënë e gjallë. Nuk mund ta çosh të pije ujë. Dikur ishte i kulluar. Madje kemi pas pirë edhe unë në të. Tani është i pa përshtatshëm për asnjë gjë. Është shumë i pistë. Ka erë shumë të keqe. Gjatë natës sidomos përhapët më tepër”, thonë banorët.

kolana e librave

Një tjetër banor, rreth të 80-ave që jeton pranë lumit tregon se para shumë vitesh, kur ai ishte i vogël, aty bëhej plazh dhe gjuhej peshk, me të cilin ata ushqeheshin për ditë të tëra. Por tani ai thotë se asnjë gjallesë nuk jeton aty, pasi kanë ngordhur nga ndotja e madhe e krijuar ndër vite.

“Jam duke mbushur 80 vjeç. Si kësaj here nuk ka bërë vaki ndonjëherë. U pre pylli u lanë drutë brenda. Se kush e ka bërë këtë nuk i japim dum. Këtu ka qenë plazh. As bretkosa nuk ka. As peshk. Në një kohë hanim 3-4 ditë peshk. Këtu kanë pas bërë plazh. Kam qen kalama. Mushkonjat.. s’di çfarë me thënë. Duhet të vendosim rrjeta. Me hy brenda nuk del më”, thotë i moshuari.

Ndonëse ky problem është ngritur me qindra herë nga banorët e fshatrave përreth lumit, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e tij.