Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, në Shkodër, do të presë për herë të parë, një grup artistësh të rinj shqiptarë, më 1 nëntor.
Shtatë fotografë shqiptarë, të cilët gjenden në Shkodrën e kulturës dhe artit shqiptar, të ftuar nga “Art House” dhe Muzeu Marubi, janë në përpjekje për të evokuar disa imazhe të thjeshta dhe të thella, që u ngjallin atyre frymëzimin artistik. Secili prej tyre, e ka emigrimin pjesë të rrugëtimit të jetës.
Punët e tyre herë lidhen me të moshuarit, që vazhdojnë të jetojnë në vendin e lindjes e herë të tjera, shkojnë akoma më larg, në kohën e paraardhësve apo themeluesve.
Peizazhin, këta artistë të rinj nuk e analizojnë, thjesht e sodisin. Sa afër dhe aq larg, ata nuk arrijnë të kuptojnë ç’të fshijnë e ç’të ruajnë prej tij. Në udhëtimet e tyre të mëparshme, ata parandjejnë se kthimi në vendlindje sikur mbulohet nga një mjegull e dendur… por, kurrë nuk është shumë vonë.
Përzgjedhja e tyre erdhi përmes një thirrjeje të hapur të përbashkët të “Art House” dhe Muzeut Marubi për edicionin e tretë të rezidencës artistike Art House School, titulluar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019), që u fokusua në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me imazhin dhe mundësitë komplekse që aktivizon ky raport.
Artistët: Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani kaluan një periudhë katërjavore në Shkodër, ku përmes prezantimeve të veprave të realizuara, diskutimeve mbi projekte apo idetë mbi punët që ende nuk kanë marrë formë, lexime nga tekstet e projektimeve të filmave, refleksioneve dhe debateve u krijua një hapësirë kërkimi individual.
Në përmbyllje të kësaj përvoje artitike, ekspozita vjen si një moment njohjeje me skenën bashkohore shqiptare dhe njëkohësisht, shpalos kujdesin nga Muzeu Marubi, ndaj dinamikave të kësaj veprimtarie artistike me frymë rinore.
Ekspozita do të organizohet në ambientet e Muzeut dhe “Art House”, me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe “Art House”.