Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka thirrur një mbledhje sot në orën 10, ku ka ftuar edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.
Opozita refuzon pjesëmarrjen, duke referuar se qëndrimi mbetet i njëjtë, “reforma mund të kryhet nga një strukturë e posaçme e jo nga një komision ku në përbërje ka individë që janë përfshirë në krim zgjedhor.”
Sot në orën 10, mazhoranca ka thirrur mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku në rend të ditës për diskutim ka ecurinë e agjendës së punës dhe konkluzionet e tryezës së organizuar nga OSBE në 5 shtator me pjesëmarrjen e gjithë faktorëve përfshirë dhe ata politik.
Përfaqësuesit e mazhorancës janë kujdesur ti lënë detyrë sekretariatit që për mbledhjen të njoftohen edhe përfaqësuesit e opozitës jo parlamentare, të cilëve pas djegies së mandateve, vendi ju rezervua vetëm si vëzhgues.
Por Partia Demokratike dhe aleatët e saj, nuk e marrin në konsideratë ftesën duke e refuzuar dhe mos njohur këtë organ parlamentar.
Kujtojmë se opozita tashmë ka bërë publike platformën e saj për reformën zgjedhore e cila përbëhet nga 5 pika, ku dominon kushti që kjo reformë të kryhet nga një strukturë e posaçme, ku pjesë e së cilës të jenë edhe përfaqësues të SHBA-ve dhe Evropës.