Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Muzeun Historik Lushnjë, organizoi projektin “Muzeu lëvizës”.
Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë ku nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Skënder Libohova”, Lushnjë u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore.
Ekspozita e “Muzeut lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike.
Midis tyre nxënësit gjetën vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore.
Drejtori i shkollës, Ornel Hyka, e përshëndeti këtë nismë duke thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për nxënësit që banojnë larg kryeqytetit për t’u njohur me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Nxënësit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin.
Ky aktivitet synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.
Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.