MENU
klinika

Skandali në Maqedoninë e Veriut

Ndërhyrje kundrejt parave, dorëhiqet zv.ministri

15.10.2019 - 11:56

Fill pas puntatës së djeshme të emisionit investigativ “Fiks Fare”, ku tregohej se si zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Asim Musa, kryente ndërhyrje kirurgjikale kundrejt parave, vetë ky i fundit ka kërkuar dorëheqjen.

Musa, i cili është mjek urolog me profesion, kryente ndërhyrje kirurgjikale kundrejt shumës 1000 euro, në një spital në Strugë, duke bërë pazare brenda ambienteve të institucionit të kujdesit shëndetësor.

Kanë qenë disa qytetarë të cilët i janë drejtuar emisionit investigativ duke akuzuar Asim Musan, për kryerje operacionesh kundrejt ryshfetit, ndonëse mban postin e zv/ministrit. Musa ka qenë prej tre vitesh drejtor i dy spitaleve më të rëndësishëm në Strugë. Dy vite në Spitalin e Përgjithshëm dhe një vit në Spitalin e Nefrologjisë, ku falë edhe pushtetit të tij kryente ndërhyrje për prostatën, por bënte edhe synetllëqe.

Fiks Fare udhëtoi drejt Strugës pas denoncimeve të shumta se zv. Ministri i Shëndetësisë kryente operacione kundrejt ryshfetit. Fillimisht bashkëpunëtorët e Fiksit shkëmbyen mesazhe për të lënë orarin dhe vendin e takimit, pasi zyrtari gjatë javës qëndronte në kabinetin qeveritar në Shkup.

Fiksi arriti të takohet me zëvendësministrin , i cili pohon se duhen bërë analizat për të parë nëse pacienti kishte nevojë për ndërhyrje. Në biseda ai tregon se operacionin do ta kryente në spital dhe se kushtonte 1000 euro, dhe ky çmim jepej nga zëvendësministri.

Nëse pacienti do të ishte shfaqur në rrethana të tjera do të duhej të paguante më shumë për këtë operacion diku tek 1100-1200 euro. Por Zv. Ministri i siguroi bashkëpunëtorët e Fiksit se do ua hiqte barrën prej 150 eurosh që kushtonin analizat , duke ia faturuar gjithçka brenda paketës prej 1000 euro dhe këtë do e bënte duke shkruar se pacienti edhe analizat i kishte kryer në po të njëjtën ditë që do të kryente edhe operacionin. Madje sipas tij analizat duhet të kryheshin po aty, pasi ishin më të sakta se në Shqipëri. Zëvendësministri pohon në bisedë e sipër se ai mundëson edhe ndërhyrje synetllëku kundrejt pagesës prej 100 euro.

Edhe pse takimi midis palëve ishte pak i vonuar në kohë zëvendësministri e arsyeton se kjo ka ndodhur për shkak të angazhimeve të tija në kabinetin qeveritar.

Në përfundim të bisedës bashkëpunëtorët iu drejtuan zëvendësministrit nëse mund ta kryenin pagesën që në atë moment për paketën me “skonto” që ai u kishte paraqitur në total 1000 euro, por Musa u kërkoi që pagesa të kryhej ditën e ndërhyrjes./ Top Channel