MENU
klinika

Si "lexohen" Shkrimet e Shenjta

Në të vërtetë ç’është mëkati sipas Martin Luterit?

31.10.2019 - 17:08

      Si sot, 500 vjet më parë, më 31 tetor 1517, një murg i ri gjerman, Martin Luter, do të kryente një akt civil të pashembullt, që la gjurmë të pashlyera në ecurinë e mëtejshme të qytetërimit perëndimor. Qysh nga ajo kohë Anglia, një pjesë e Gjermanisë dhe Francës, Danimarka, Holanda dhe Vendet Skandinave, që sot janë në pararojë te mirëqenies dhe të shtetit social, janë vende me besim kristian protestan.

Martin Luter lindi në Ajsleben të Gjermanisë në 1483. I ati i siguroi një arsimim të mirë për kohën dhe në moshën 22-vjeçare u dorëzua murg në manastirin e Agustinit, në Erfurt. Ndoqi universitetin e Vitenbergut dhe fitoi gradën e doktorit në teologji. Aty përktheu për herë të parë Biblën në gjuhën gjermane dhe studimi i saj e çoi në një kuptim të ri të “ndërgjegjes fajtore” dhe në rrugën e drejtë që duhej ndjekur për “kurimin” e saj.

Papa dhe kleri i lartë katolik roman prej vitesh jetonte në një luks dhe korrupsion të thellë, ndërkohë që masa fshatare e besimtarëve katolike vuante nën peshën e rëndë të feudalëve vendas dhe klerikëve të lartë. Për të përballuar këtë luks të shfrenuar ishin shpikur të ashtuquajturat “Indulgjenca”, një letër e shkruar nga Papa (e pakuptushme në gjuhën e popullit), që shitej nga Kisha me një çmim të shtrenjtë. Kush blinte një “indulgjencë” i faleshin mëkatet. Është e tepërt të thuhet, se kjo ishtë një formë takse mashtruse për besimtarin e thjeshtë.

 

 

Luteri, duke lexuar me kujdes Biblën, e kuptoi se Jezusi, në doktrinën e tij, kish një kuptim krejt të kundërt për “mëkatin” dhe mënyrën e shlyerjes të tij – “pendesën”. Falja e mëkatit nuk mund të blihej me të holla (atë e blinin me lehtësi ata që kishin mëkatuar më shumë – të pasurit), por përmes besimit të vullnetshëm në moralin kristian. Besimi nuk ishte bindja ndaj klerikëve të korruptuar, hipokritë dhe mashtrues, që pretendonin se përfaqësonin Zotin mbi Tokë, por bindja e brendshme, ndërgjegja ndaj mësimeve të Jezusit, të shprehura në Bibël.

Ky ishte një akt revolucionar i pashembullt, sepse për herë të pare predikoi lirinë e ndërgjegjes. Besimi nuk ishte një çeshtje jashtë njeriut (në Kisha apo në ritualet kishtare), por në ndërgjegjen e vetë besimtarit.

Në 31 tetor 1517 ai afishoi në derën e Kishës 95 Tezat e famshme të tij për reformimin e Kishës. Kjo datë ka hyrë në histori si lindja e një periudhe historike që njihet me emrin – Reformë.

 

 

Lindi kështu revolta ndaj dogmës, ndaj autoritetit të Papës dhe pas saj, nuk vonuan luftrat fetare të shek.16-17-të, që ndryshuan kryekëput konfiguaracionin politik të kontinentit europian.

Ashtu si një erë e favorshme e ndihmon përhapjen e zjarrit, shpikja e shtypshkrimit nga Gutembergu (botimi masiv i Biblës në gjuhët amtare) dhe tezat e famshme të Luterit, u dhanë hov të paparë përhapjes të ideve të reja.

   Jan Husi dhe Jan Zhishka, dy murgj çekë, 100 vite para tij, ishin djegur në turrën e druve si “heretikë”. Ndonëse Luteri, nuk pati të njëjtin fat si ata, përndjekjet e kishës e ndoqën pas gjithë jetën. Ishin forca dhe drejtësia e ideve të tij, ato që e bënë të dashur dhe të respektuar në popull dhe që sot, pas 500 vitesh, vazhdon të nderohet e vlerësohet në mbarë botën.

 

Nga: Klodi Stralla

 

***

Është e tepërt të thuhet që Luteri i përkiste Kishes së Romës. Qysh me 1054, kur Kisha e Vetme e Krishtit u nda në Lindore dhe Perëndimore, u krijua një hendek i madh midis tyre, për shkak të pikëpamjeve egoiste dhe absolutiste të krerëve kishtarë të Romës së Vjetër. Këto veprime të pahijshme, mashtrime dhe abuzime, Luteri donte t’i shpallte në popull dhe t’i dënonte. Indinjata e tij arriti kulmin nga novacioni i çuditshëm i Papa Leonit X. Ky i fundit, duke qenë shumë i dashuruar pas parasë, mendohej se si të grumbullonte sa me shumë. Ai filloi të botojë Letra Faljeje, me të cilat “falte” mëkatet e të gjallëve dhe të të vdekurve. Ai thoshte se këtë pushtet e kishte ngaqe ishte misionar i Krishtit në tokë dhe pasardhës i apostull Pjetrit. Thoshte që paratë e grumbulluara shkonin për ushtritë e Kryqëzatave që

luftonin për çlirimin e Vendeve të Shenjta, por në fakt, për plaçkitjen e thesareve të Kishes Ortodokse të Lindjes. Shpallte me siguri se, ai që jepte para për shpenzimet e një ushtari për një vit, ka të drejtë të mëkatojë për pesë vjet. Thoshte gjithashtu se mëkatet falen më lehtë kur i interesuar kryen një meshë. Pra, kur çdo njeri kryen meshë, merret me mend se çfarë sasie e madhe parash gjendej ne Arkat e shumta te Vatikanit.

Këto letra faljeje iu jepeshin predikuesve të cilët mblidhnin paratë. Luteri, duke qenë predikues, dhe duke parë që po i shpetonte nga dora kjo pune fitimprurëse, filloi të predikonte kundër këtyre letrave dhe pushtetit të Papës.

Fjalet e tij të rënda kundër Papës, dëshmojnë jo vetem për fanatizmin e tij për edhe për urrejtjen e pashuar kundër Papës. Luteri thoshte se Papizmi u krijua në Romë nga Djalli. Djalli e tërhoqi Papën nga gryka e pafund të Ferrit. E pikturoi Papën e shkretë herë me kokë gomari, herë hipur mbi një dose. Ai thoshte: “Unë, sa të jem gjallë, nuk do të pushoj së predikuari kundër Papës dhe Turqëve”. Ne librin e tij “Kunder Papizmit” ai shkruante: “Hajde këtu, papagomar, me veshët e gjata dhe me gojen e mallkuar për rrenat e tua”. E quan “prijës të të ligjve, derr të djallit, bashkepunëtor të tij dhe Antikrisht”. Para se të vdiste, me doren gjysem të paralizuar, shkruajti ne murrin e shtepisë: “Për ty papë i gjallë isha murtajë, i vdekur do të bëhem vdekja jote”. Ky mllef i tij kundër Papës, bile edhe ne çastet e fundit të jetës së tij, tregon se në ç’gjendje të çrregullt shpirtërore ndodhej, sa mosbesim tregonte kundër kishës dhe përfaqesuesve të padenjë, ndoshta, të saj.