MENU
klinika

Çfarë do të vednosin tre vendet skeptike?

Negociatat, sot vendosin ministrat e jashtëm të BE

14.10.2019 - 09:24

Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbledh sot ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE, ndërkohë që vetëm pak ditë kanë mbetur nga vendimi i Këshillit Europian mbi këtë proces.

Takimi i ministrave të Jashtëm vjen në një kohë kur shumica e vendeve anëtare kanë dhënë qëndrimin pro hapjes së negociatave, ndërkohë që tre vende mbeten ende skeptike për Shqipërinë dhe presin qëndrimin e Francës, pasi Bundestagu hapi dritën jeshile rreth një javë më parë.

Çështja do të trajtohet fillimisht në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, për të kaluar më pas në Këshillin Europian.

Presidenti Macron njihet për qëndrimet e tij në drejtim të ngadalësimit të procesit të zgjerimit të BE-së, gjë e cila po bëhet pengesa kryesore për të dyja vendet për të hedhur këtë hap vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, kështu që edhe kancelarja Merkel kishte planifikuar të dielën një takim me të, por që nuk pati asnjë informacion zyrtar mbi këtë çështje.

Gjithsesi nuk ka pasur një deklaratë të prerë nga Macron, apo nga ministrat francezë që të pozicionohen kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por në mediat ndërkombëtare këto javë është folur për një skepticizëm të vazhdueshëm nga Parisi zyrtar.

Në pozicion pritës këto ditë të fundit kanë qëndruar Danimarka dhe Holanda, dy vende që më herët kanë dalë hapur kundër hapjes së negociatave.

Në rastin më pozitiv, për Holandën ka qenë një qëndrim ndarës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke hapur dritën jeshile për këta të fundit dhe “ngelur në klasë” Tiranën zyrtare. Por insistimi i Gjermanisë dhe Kancelares Merkel personalisht për një “Po” si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut, ka bërë që këto dy vende të hezitojnë të japin veton dhe duket se deri në orën e fundit do të presin Francën.

Në varësi të vendit që do të marrë Macron, do të ketë në krahë edhe këto dy vende, të cilat paraprakisht janë për një “Jo”, por nëse Franca do të thoshte “Po”, edhe ato do t’i bashkoheshin këtij votimi pozitiv.

Ambasadori gjerman në Shqipëri ka deklaruar se Kancelarja Merkel po lobon për hapjen të bindur vendet skeptike, ndërkohë që sot pritet që fillimisht të dalë vendimi i ministrave të jashtëm, një hap që tregon tendencën para mbledhjes së kryeministrave të BE.

Edhe vetë kryeministri Rama javën e fundit është treguar skeptik për hapjen e negociatave nëpërmjet qëndrimeve të tij në rrjetet sociale, por sipas tij, jo për shkak të mos plotësimit të kushteve nga ana e vendeve kandidate, por për shkak të politikave të veta të BE-së.