MENU
klinika

Profil/ William James

“Nëse ndryshon mendjen, mund të ndryshosh edhe jetën!”

23.10.2019 - 20:21

Uilliam Xhejms (William James) lindi në vitin 1840.

Ai ishte filozof amerikan dhe psikolog, i cili ishte i trajnuar gjithashtu edhe për fizikant. Xhejms ishte njëri ndër mendimatrët kryesorë të fundshekullit XIX-të dhe nga shumë konsiderohet si filozofi amerikan më me ndikim.

Ai është i mirënjohur për punën e tij mbi filozofinë e fesë dhe atë të pragmatizmit, duke kërkuar të zbulojë sesi duhet të veprojë dikush, kur nuk ka njohuri të së vërtetës përfundimtare.

Libri i tij “Parimet e psikologjisë” ndihmoi për një transformim rrënjësor të mënyrave se si mund të konceptoheshin dhe interpretoheshin dukuritë psikologjike gjatë shekullit të 20-të. Xhejms mendoi që të shkruajë librin “Parimet e psikologjisë” për dy vjet, por në fakt, koha e shkrimit të librit i kushtoi rreth 12 vjet. Karriera e tij profesionale, pas botimit të librit, ishte në rritje dhe Xhejms mori titullin “Profesor” në filozofi më 1895 dhe katër vjet më vonë edhe titullin “Profesor” në psikologji. Libri “Parimet e psikologjisë” pati sukses, sepse edhe gjuha e përdorur ishte mjaft e përpunuar dhe e qartë për publikun. Megjithatë, disa kritikë e quajtën këtë libër me epitetin jo sistematik. Ky epitet erdhi nga fakti se, ndonjëherë, Xhejms nuk ndiqte në libër rregullin e përshkrimit konvencional të çështjeve të paraqitura.

Disa nga parimet e psikologjisë kanë të bëjnë me ndergjegjen, mendimet, e njeriun në tërësi. Xhejms pohon se çdo mendim ka tendencën të jetë pjesë e një ndërgjegjeje personale. Në çdo ndërgjegje personale mendimi është gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme. Për Xhejmsin mendimi duket se është në lidhje me objekte të pavarura nga vetja, njeh dhe kryen funksionin e njohjes. Gjithashtu mendimi nga objektet pranon disa pjesë dhe refuzon pjesë të tjera, dmth, në mënyrë konstante zgjedh ndërmjet tyre.

Suksesi i botimit të parë e shtyu atë drejt botimit të librit “Psikologjia, një kurs i shkurtër”, më 1892. Libri shërbeu si tekst mësimor për studentët dhe botimi i tij i solli Xhejms një rritje të të ardhurave financiare. Interesant ishte fakti se James asnjëherë, gjatë punës kërkimore në psikologji, nuk e përshkroi punën në laborator si një element parësor të kërkimit psikologjik, por e konsideroi atë si diçka jomotivuese.

Idetë që Xhejms shprehu në psikologji ndikuan që, në fundin e shekullit të 19-të, të konsiderohet, në qarqet shkencore të kohës, si një nga udhëheqësit filozofikë të SHBA-së.

Ashtu si vëllezërit e motrat e tij (njëri prej të cilëve ishte romancieri i madh Henri Xhejms), ai vuajti nga sëmundje të ndryshme në rininë e tij, si fizike ashtu edhe mendore. Sëmundja e tij mendore, e njohur në atë kohë si “krizë nervore”, përfshinte periudha të veçanta dhe të rënda depresive të cilat zgjasnin për muaj më rradhë, dhe gjatë të cilave ai mendonte të vetëvritej. Pavarësisht nga këto shqetësime, Xhejms botoi gjatë gjithë jetës së tij dhe vdiq nga një krizë në zemër në të gjashtëdhjetat.

Ndikimi i tij, sidomos në filozofinë amerikane ishte i konsiderueshëm, ndaj ai mbetet edhe sot një figurë tepër popullore.

Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:
– Veprimi jo gjithmonë e sjell lumturinë, por nuk mund të ketë lumturi pa veprim.
– Shumë njerëz të mëdhenj mendojnë se janë duke menduar ndërkohë që ata janë vetëm duke i riorganizuar paragjykimet e tyre.
– Nëse mund ta ndryshosh mendjen tënde, mund ta ndryshosh edhe jetën tënde.
– Parimi më i thellë i natyrës njerëzore është dëshira për të qenë i vlerësuar.
– Pikëpamja jonë për botën formësohet nga ajo që ne dëshirojmë të dëgjojmë.
– Nëse ndonjë organizëm dështon për ti përmbushur potencialet e tij, ai sëmuret.
– Besimi e krijon faktin e vërtetë.
– Qëllimi i edukimit universitar është të ju mësoj ta njihni një njeri të mirë, kurdo që e shihni atë.
– Religjioni është një kapitull monumental në historinë e egoizmit njerëzor.