MENU
klinika

Profil/ Francis Bacon

“Një njeri i zgjuar shfrytëzon më shumë mundësi sesa ka”

10.10.2019 - 14:05

Frensis Bejkon (1561 – 1626) ishte filozof, jurist dhe orator i shquar anglez.

Ai u lind më 22 janar 1561 në Londër. Pas kryerjes së studimeve me rezultate të shkëlqyera në Kembrixh, Frensis Bejkoni kaloi dv vjet në Paris duke punuar në ambasadën e Anglisë. Me t’u kthyer në Londër, filloi karrierën e juristit. Duke qenë avokat duke filluar nga viti 1579, ai hyri në Parlament. Karriera e tij politike u zhvillua nën mbretërimin e Xhorxhit I: avokat i Kurorës më 1604, roje i vulave më 1617, Kancelar i Madh më 1618 dhe në të njëjtën kohë u bë baroni Verulam, pastaj vikonti i Shën Albanit më 1621.

Ndërkaq, po atë vit, u dënua për shkelje të detyrës dhe u burgos. I liruar në krye të disa ditëve, humbi të gjitha detyrat dhe titujt.

Më 1597 u botuan dhjetë nga Sprovat e tij të famshme, që i plotësoi pesëmbëdhjetë vjet më vonë, duke paraqitur një botim të ri të ripunuar, i cili përmbante njëzet e nëntë sprova. Pak para vdekjes, i bëri rregullime të tjera kësaj përmbledhjeje, duke e shtuar edhe më shumë. Botimi i fundit doli më 1625 me titullin Sprova apo këshilla praktike dhe morale.

Vepra e tij kryesore “Restaurimi i madh i sundimit njerëzor mbi natyrën”, ishte një enciklopedi e shkencave, që duhej të përbëhej nga gjashtë vëllime. Bejkoni përfundoi vetëm dv prej tyre.

Romani i tij utopik, Atlantida e re, filluar ndoshta rreth vitit 1621 dhe i përcaktuar për të qenë një aneks i Restaurimit të madh, mbeti i papërfunduar. Krahas veprës Utopia (1516) të Tomas Morit dhe Qyteti i diellit (1623) të Tomaso Kampanelës, Atlantida e re është një nga shkrimet utopike më të njohura të shekujve XVI dhe XVII. Ky roman, fillimisht i ngjizur si projekt për një shtet ideal, materializon bindjen e brendshme të Bejkonit: shkenca e natyrës, e nxjerrë si përfundim logjik i eksperimentimit, është kusht i domosdoshëm për lumturinë e njerëzimit.

Bejkoni sjell mrekullitë e një qytetërimi tekniko-shkencor që do të vinte, një shtet ku qytetarët do të jetonin të lumtur dhe të kënaqur, falë zhvillimeve të nxitura nga industria dhe nga bujqësia e mbështetur te shkenca, së bashku me makinat me avull, makinat fluturuese dhe telefonin. Guximi me të cilin Bejkoni fshin gjithë shkencën e mëparshme në epokën e tij, përputhet në fakt me atmosferën e përgjithshme të zgjimit në shkencë, teknikë, arte, letërsi dhe filozofi, që kishte përfshirë mbarë Europën në fund të Rilindjes dhe që gjeti në Anglinë e Elizabetës I.

Megjithatë Bejkonit i duhej të hapte sytë mirë, që të mos ngacmonte Kishën dhe shtetin me idetë e tij të guximshme dhe novatore, që synonin lumturinë tokësore të individit: një teprim i risisë te mendimi mund të ishte vdekjeprurës. Ai e ruajti veten që të mos ngatërrohej në çështjet e Kishës apo të vinte në dyshim të vërtetën që zbulonte feja; veç të tjerash, ai hodhi poshtë teorinë e Kopernikut.

Ai thoshte se adhurimi ishte edhe më i keq se mungesa e besimit.

Një nga përcaktimet e qenësishme dhe karakteristike të filozofisë së Bejkonit është edhe qëndrimi i tij kritik radikal lidhur me vëzhgimin teleologjik të natyrës, pra, të vëzhguarit nga pikëpamja e shkaqeve finale, i cili, sipas mendimit të Bejkonit nuk është i dobishëm dhe nuk ka kurrfarë rëndësie.

Bejkoni hyn në radhën e mendimtarëve më të ndritur dhe më të guximshëm të shekullit XVI e XVII në përgjithësi. Duke krijuar bazat për reformimin e shkencës në mënyrë të plotë, Bejkoni u përpoq nëpërmjet metodës induktive, deriatëherë të papërfillur ta vinte tërë diturinë njerëzore në themele të reja. Bejkoni konsideronte se njohje të vërteta janë vetëm ato që njëmend e zgjerojnë fuqinë e njerëzve dhe u shërbejnë interesave njerëzore.

Në pronën e tij, filozofi e oratori ua kushtoi vitet e fundit të jetës veprave të tij filozofike dhe kërkimeve në shkencat e natyrës.

Pavarësisht nga orientimi filozofik i tij, nga një varg paragjykimesh shoqërore- politike, nga të metat dhe dobësitë njerëzore, merita e Bejkonit është epokale: ai ishte luftëtar për reformën e diturive natyrore të vërteta dhe për krijimin e një metode të re.

Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:

– Një njeri i zgjuar shfrytëzon më shumë mundësi sesa ka.
– Do të doja të jetoja për të studiuar e jo të studioj për të jetuar.
– Respekti ndaj vetes është frenimi kryesor i të gjitha veseve.
– Dituria është fuqi.
– Disa libra duhen shijuar, të tjerët të gëlltiten dhe disa të përtypen dhe të tretet.
– Heshtja është gjumi që ushqen diturinë.
– Në mënyrë që drita të shkëlqejë, errësira duhet të jetë e pranishme.
– Natyra, për t’u urdhëruar, duhet të respektohet.
– Në bamirësi nuk ka tepricë.
– Është e pamundur të jesh i dashuruar dhe i mençur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit