Njeriu i Ri, personifikon shpirtin ideologjik dhe metamorfozën e nevojshme për çdo regjim.
Ai herë është heroi e herë njeriu i punës, herë njeriu i zakonshëm e herë ai i sakrificës, sepse ai ishte njeriu i duhur, njeriu “ynë”, i devotshëm, i arsimuar, i kulturuar e i shëndetshëm. Ai rrezaton besim e optimizëm, sepse ai është krenar që është pjesë e këtij transformimi shoqëror e beson verbërisht në shpërndarjen e doktrinës në të gjithë botën.
Sipas studimit “Homo Socialitus”, përgatitur nga disa studiues si A. Lepuri, A. Shllaku, D. Gjopalaj e të tjerë, publikuar në Tiranë, 2016, ndërtimi i Njeriut të Ri, kërkohej me ngulm nga makina shtetërore, pasi përbënte çelësin e transformimit të strukturës shoqërore duke filluar nga mentaliteti, deri tek veprimtaria e përditshme.
Përkufizimin më të qartë të konceptit të njeriut të ri e bën një autor sovjetik Igor Kon, të cilin e gjejmë në revistën Rruga e Partisë e vitit 1954:
“…njeriu i ri i cili është bartës i vlerave të larta politike e morale, ndërtues i komunizmit dhe është pakrahasimisht më i denjë se çdo përfaqësues i botës së vjetër. Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit.
Ai është një njeri, qëndrimi i të cilit për jetën është përherë krijues, ai nuk mund ta mendojë jetën pa punë, është një humanist i cili ka ngritur lart flamurin e dinjitetit njerëzor dhe është gati për të sakrifikuar vetveten në luftë për lumturinë e njerëzimit. Borgjezia që është duke vdekur, ka frikë nga ai dhe e urren, vetë ekzistenca e tij është mohimi i regjimit kapitalist. Ideologët e borgjezisë kanë të gatshëm të shpifin në çdo mënyrë kundër tij”.
Parajsa socialiste pasqyrohet në tablo nga “jeta e përditshme”, brenda familjes, në kampe pushimi, në festa e vende pune.
E ngjashme më shumë me një reklamë, ajo ndryshon brenda kampit socialist nga vendi në vend, patjetër duke u përshtatur me terrenin që gjen, ndërsa në thelbin e saj, ajo përbën përmbushjen e “profecisë” marksiste, që në qëllimin e tij final kërkonte ndryshimin e rendit shoqëror.
Në këto tablo, ëndrra e tij është realizuar dhe Njeriu i Ri, tashmë i materializuar, jeton mes tyre. Ai ngado është entuziast, pasi “parajsa tokësore” e premtuar, tashmë është bërë realitet, ndërsa “dora e ngrohtë” e partisë-shtet, edhe kur nuk është, ndihet thjesht si e kudondodhur.
Njeriu i Ri shqiptar shfaqet thelbësisht i ushqyer me moralin komunist. Është një njeri thellësisht etik dhe vjen nga “poshtë”.
Pra, nga shtresa e varfër, e cila ishte e preferuara dhe për së cilës mendohej se mund të vinte njeriu i ri i vërtetë. Njeriu i ri nuk është një njeri intelektual, por që karakterizohet nga sjellje të përcaktuara nga morali komunist.
Komunizmit i duhej një njeri që sillet në mënyrë të përputhshme me normat e moralit komunist. Edhe nëse njerëzit janë “injorantë”, mjafton që atyre t’u bëhen “ushtrime” sesi duhet të sillen dhe kështu ata e përftojnë vetë mënyrën e sjelljes korrekte komuniste.
Ky model i propozuar nga komunizmi sovjetik ndiqet edhe nga ai shqiptar. Njeriu i ri, që është një prej objektivave kryesorë të reflektimit moral, duhet jo vetëm të sillet sipas udhëzimeve të Partisë, por edhe (kur nuk vëzhgohet) të tregojë, duke dhënë provë, se ka qenë “i mirë”.
Megjithëkëtë, shpeshherë Partia ka mosbesim dhe për të këtë organizon një sistem të gjerë kontrolli, të cilit askush nuk mund t’i ikë.
Pra, siç e shohim komunizmi i modelit stalinist nuk është transferuar në Shqipëri vetëm si model politik dhe ekonomik, por edhe si model moral për t’u ndjekur në mënyrë të përpiktë. Qëllimi ishte brumosja e mendjes dhe ndërgjegjes së popullit me etikën komuniste.
Këtë gjë e shpreh akoma më mirë edhe poeti rus V. Sentalinskij kur thotë se: “Ideologjia komuniste nuk ishte për ne diçka e jashtme, e imponuar me forcë nga jashtë; përkundrazi, kishte zënë fole në thellësitë e ndërgjegjes sonë dhe e ushqente atë duke krijuar një rregull që ishte bërë frymëzim për të gjitha aspektet e jetës sovjetike. Kjo ideologji na dukej e pagabueshme gati-gati e natyrshme”.
Marksizmi, si doktrinë, përmban elemente të forta pedagogjike, pasi është një teori që bazohet mbi emancipimin e njeriut dhe, duke u mbështetur tek ky emancipim, parashikon ndërtimin e një bote të re.
Këtë gjë e shohim edhe tek piktura në fjalë.
Vetë titulli i saj “Më tej”, na shtyn të bëjmë analogjinë me atë teori të emancipimit të botës së re të propozuar nga komunizmi. Pra, dëshirat dhe premisat janë për të shkuar më tutje.”