MENU
klinika

E përditshmja sllovene

“Nobeli? Peter Handke lindi dhe u rrit në kufi me Jugosllavinë!”

17.10.2019 - 17:19

      Çmimi akorduar austriakut Peter Hankde, vazhdon të ngjallë diskutime. E përditshmja sllovene “Delo”, thekson se shpallja e nobelistëve, gjithmonë shoqërohet me polemika dhe kësisoj, as kjo herë nuk mund të ishte ndryshe.

Titulluar ”Talenti me sfond”, gazeta hedh shikimin mbi abuzimin seksual dhe keqpërdorimin financiar në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave, për të paktën 20 vite. Me gjithë këto fakte, Akademia nuk shfaqi kurrfarë pendese; nuk e trajtoi çështjen e ngacmimit seksual ose pabarazisë gjinore, si pjesë e akademisë apo kulturës në përgjithësi.

Duke sjellë në vëmendje se, më 2015-ën, Sara Danius u bë sekretare e parë e përhershme e Akademisë dhe deri këtë vit numërohen vetëm 14 gra, si fituese të Nobelit në letërsi, gazeta shtron pyetjen nëse do të ishte e pesëmbëdhjeta Olga Tokarczuk, sikur të mos ishin bërë kaq shumë akuza vitin e shkuar.

 

Gazeta thekson po ashtu, se, përkundër pretendimeve për të qenë eurocentrike, Akademia zgjodhi dy fitues nga zemra e Evropës. Për më tepër, njëri prej tyre, Peter Handke (me nënë sllovene – v.j.), ka mbajtur qëndrim në krah të Serbisë dhe udhëheqësit të saj Sllobodan Millosheviç, gjatë konflikteve jugosllave.

Sidoqoftë, shpallja e fituesve nuk është pritur asnjëherë pa polemika: së pari, sepse çmimi në letërsi në parim, do të eklipsonte të gjithë të tjerët, pasi frytet e punës të laureatëve njihen drejtpërdrejt nga një publik shumë më i gjerë sesa ato në fushat e mjekësisë, fizikës, kimisë dhe ekonomisë. Secili nga më shumë se 100 fituesit në historinë e Nobelit, duhet të ketë shumë talent, por shumë prej tyre ishin shumë pak të njohur nga publiku e ndërkohë, autorët e tjerë të adhuruar prej këtij të fundit, nuk janë vlerësuar nga juria.

Pavarësisht faktit se estetika është e vështirë dhe kërkon një ndjeshmëri të veçantë dhe reflektim të gjatë, – siç thotë Borges, – Akademia, shpesh vendos bazuar në kritere të tjera, më të thjeshta. Nuk duam të themi, se ata mund të kenë vepruar në këtë mënyrë këtë herë, pasi të dy, Tokarczuk edhe Handke, janë shkrimtarë të shkëlqyer, por është e pamundur të thuash se nuk ka më të mirë se ata.

 

 

Handke, nuk do të mbahet mend në histori si një nga zgjedhjet e vetme politike, që ka ngjallur mjaft polemika. Përpara tij, kanë qenë: Winston Churchill, Aleksandr Solzhenitsyn, Czesław Miłosz, Dario Fo, Orhan Pamuk…

“Peter Handke është i veçantë në këtë grup… nëse vendi ku ai lindi dhe u rrit, nuk do të kufizohej me këtë vend, Jugosllavinë, me siguri ai nuk do të kishte qenë kaq i preokupuar për të. Shpjegimi i tij, ishte se ai e njihte situatën në Ballkan më mirë sesa bashkëmoshatarët e tij në Paris, Berlin apo SHBA, kështu që Handke, kishte të drejtë të shkruante në atë mënyrë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kadareja sigurisht JO!

“NOBELI mbetet brenda BE-së”