MENU
klinika

Akuzojnë qeverinë

Opozita: Venecia konfirmoi se Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës

14.10.2019 - 15:59

Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias, i cili sipas saj rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, opozita e bashkuar thotë se Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën.

Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.

“Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi” thuhet në deklaratë.

Opozita nënvizon se votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt sipas saj, është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet europiane.

Për opozitën, opinioni i Venecias  konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar.

“Edi Rama është konfirmuar si Kryeministri i vetëm në Europë që, pasi kontrollon politikisht Parlamentin, prokurorinë, gjykatat, ekonominë, pushtetin lokal, po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e Presidentit” deklaron opozita.

Në përfundim të deklaratës, opozita thekson se opinioni final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues.