Pija që përfitohet nga dëllinja është si birrë, e gazuar, por pak e athët dhe në Shqipërinë e Mesme e quajnë Hardiç.
Emri i këtij fruit njihet në latinisht si Juniperus communis, dhe me këtë emër e përdorin dhe disa zona në Shqipëri, por që i referohen rakisë ose xhinit që prodhohet nga ky frut. Dëllinja është magjike, sepse me pijen që mund ta prodhoni lehtësisht në shtëpitë tuaja, pastroni veshkat dhe sistemin urinar, trajtoni problemet e stomakut, sidomos tretjes, si dhe pastroni mushkëritë tuaja nga sekrecionet. Dëllinja vilet në vjeshtë dhe në Pazarin e Ri një kilogram dëllinjë kushton 200-300 lekë.
Pasi të keni blerë një sasi, të paktën 2-3 kilogram, duhet ta lani mirë e ta pastroni nga gjethet. Në një enë qelqi, futni dëllinjat dhe shtojini ujë. Raporti është një kilogram dëllinja me 4 litra ujë. Për 40 ditë rradhazi, ena duhet të rrijë në një vend të errët e të thatë, e pasi të mbushet koha, ju mund të shijoni lëngun e saj.
Nëse i fusni gjatë verës dëllinja të vjetra, shishja duhet të hapet për 4-5 javë. Kjo pije e përfituar zgjat për disa kohë, pasi duhet të veproni në këtë mënyrë. Kur të hapni enën ditën e parë ju do të merrni një sasi të caktuar, një apo dy litra Hardiç, e po atë sasi që morrët ju do e zëvendësoni sërish në damixhan me ujë të pastër. Kështu do të veproni, pra sa herë të merrni një broke Hardiç, në enë do e zëvendësoni me po aq sasi uji. Kjo zgjat deri në momentin kur ju do kuptoni vetë se cilësia e lëngut që përfitoni e ka humbur shijen e fortë të fillimit.
Vlerat e Hardiçit
Dëllinja përmban një sërë acidesh organike të rëndësishme për trupin e njeriut gjithashtu sheqerna natyrale, kalium e kalcium. Ndër vlerat kryesore të dëllinjës dhe lëngut magjik është pastrimi i mushkërive.
Shpesh dëllinja përdoret për pastrimin e bronkeve nga infeksionet dhe sekrecionet. Pas ndihmesës për mushkëri të pastra vjen stomaku. Të cilin Hardiçi e ndihmon në tretjen e ushqimit si dhe nga djegiet apo forma të ngjashme ulçere.
Efekti tjetër pozitiv i dëllinjës është vërtetuar në sistemin urinar e veshka. Konsumimi i lëngut që përfitohet nga to, pastron veshkën dhe shëron ciste që shpesh hasen te femrat.
Gjithashtu përdorimi i Hardiçit ndikon në uljen e kolesterolit, diabetit dhe sasisë së ujit të tepërt në trup. Dëllinja mund të përdoret dhe në formë vaji, i cili përdoret për çlirim të kontraktimeve muskulare.
Por duhet të kemi kujdes.
Përdorimi afatgjatë i kokrrave të dëllinjës mund të shkaktojë irritime dhe dëmtime në veshka, sepse dëllinja praktikisht sforcon veshkën. Kjo është arsyeja përse dëllinja rekomandohet për 30 ditë çdo 4-5 muaj. Nëse jeni shtatzënë atëherë mos e përdorni dëllinjën. Shmangeni atë edhe nëse ushqeni fëmijën me gji.
Dëllinja arrin të ulë sheqernat në gjak, dhe shkakton shqetësime serioze tek njerëzit me diabet.