“…Sot na bën të ndjehemi të turpëruar, kur shikojmë se me çfarë qetësie dhe pjekurie përjetohen dhe kapërcehen zgjedhjet në anën tjetër të kufirit, që ndan shqiptarët me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, që në këtë nahinë tonë ne nuk biem dakord as të përcaktojmë rregullat për të hyrë në garë, se për rezultatin nuk bëhet fjalë fare të merremi vesh”.
Kështu shkruan kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi teksa komenton procesin zgjedhor në Kosovë dhe e krahason me atë çfarë ndodh në Shqipëri.
Sipas Patozit, ajo që ndodhi në Kosovë është më shumë se sa rotacion politik, ndodhi ndryshimit. Ai deklaron se ajo që e bën diferencën me Shqipërinë është thjesht sistemi i gabuar politik, i cili në Shqipëri praktikisht i ka dhënë të gjitha provat se ka falimentuar.
STATUSI I PLOTË
IT’S THE SYSTEM, STUPID!
Kosova zgjodhi dje qartësisht ndryshimin, më shumë se sa rotacionin politik. Sepse nuk votoi thjesht opozitën, por mbi të gjitha shpresën se dikush tjetër mund të jetë më i mirë se qeveria. Ndryshimi dhe rotacioni janë dy gjëra të ndryshme, të cilat jo gjithmonë mund të shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.
Shqiptarët e Kosovës vendosën dje të qeverisen prej atyre që ditën të ndryshojnë edhe duke qenë në opozitë. Në përmbajtje dhe në formë dhe kjo ka ndodhur me të dyja partitë fituese. Ndaj edhe jo rastësisht ato u shpërblyen.
Kjo vlen të kuptohet prej të gjithë atyre që mendojnë se për të fituar mjafton të jesh e keqja më e vogël dhe thjesht ke nevojë për durimin e caktuar në pritje të radhës.
Që do të thotë se për të mundur patjetër qeverinë duhet të përgatitesh për të sjellë ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin. Sepse nuk është aspak çudi që, duke pritur që ajo të rrëzohet vetë, të mos arrish as njërën nga të dyja.
Në fakt, jemi e njëjta racë dhe i njëjti popull. Me të njëjtat virtyte dhe vese, me të njëjtën ADN dhe predispozitë genetike, dhe natyrisht me të njëjtët heronj dhe tradhtarë. Madje po të krahasoheshim me një familje, Kosova do të kishte qenë vëllai i vogël dhe më i përvuajturi nga fati historik. Prej të cilit me të drejtë do të kërkohej dhe pritej që gjithmonë ta mbante kokën e kthyer nga shteti amë për t’u orientuar drejt.
Por sot na bën të ndjehemi të turpëruar, kur shikojmë se me çfarë qetësie dhe pjekurie përjetohen dhe kapërcehen zgjedhjet në anën tjetër të kufirit, që ndan shqiptarët me njëri-tjetrin. Ndërkohë, që në këtë nahinë tonë ne nuk biem dakord as të përcaktojmë rregullat për të hyrë në garë, se për rezultatin nuk bëhet fjalë fare të merremi vesh.
Dhe pyetja është se kush e bën diferencën. Mos u lodhni kot të gjeni arsye të mëdha gjeopolitike dhe as ndonjë mallkim të lashtë perëndish, që na ka veçuar, jo vetëm nga Europa, ku duam të shkojmë, por edhe prej Kosovës sonë.
It’s the system, stupid! Është thjesht sistemi i gabuar politik, i cili në Shqipëri praktikisht i ka dhënë të gjitha provat se ka falimentuar. Ndërkohë që, jo vetëm mbrëmë, nga Prishtina ke pasur mundësi të shohësh, se si modeli i duhur funksion dhe prodhon demokraci e maturi politike për t’u marrë shembull.
Ndaj edhe jemi katandisur në një shtet gjysmagjel, ku nga njëra anë, qeveria nuk po di çfarë të bëjë me një mbipushtet, që i ka mbetur në dorë, dhe nga ana tjetër, opozita e vetëpërjashtuar, që nuk po di si të rikthehet aty ku e ka vendin.
Dhe megjithë këtë krizë të pashembullt, që po gërryen çdo ditë shoqërinë, nuk shihet ende asnjë shenje serioze se mund të ketë ndonjë reflektim. Ndaj edhe sot të gjithë flasin me krenari për Kosovën, duke treguar me gisht kundërshtarin e vet në Tiranë, të cilit i faturojnë me lehtësi të admirueshme shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj ngecjeje spektakolare.
Kjo është arsyeja se përse sot në Shqipëri nuk ka nevojë të lodhesh shumë për ta kërkuar Albin Kurtin. Sepse atë e gjen menjëherë, jo vetëm në të gjitha partititë tona politike, por edhe në kioskat e vogla të lagjeve periferike, ku konsumohet raki me qofte. Puna është se është e pamundur t’i gjesh, edhe po t’i kërkosh me qiri, Kadri Veselin dhe Ramush Hajredinajn, sepse ata nuk ekzistojnë. Sepse në këtë vend është më e lehtë të humbasësh gjithmonë, sesa ta pranosh humbjen qoftë edhe vetëm një herë.