MENU
klinika

Një ditë si turist

Prizreni mes Adriatikut dhe detit Egje

16.10.2019 - 17:54

        I shtrirë rrëzë maleve të Sharrit (shpallur “park nacional”), në të dy brigjet e Lumbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare mes lindjes e perëndimit, Prizreni, është i njohur prej kohësh si qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike dhe diplomatike.

Nisur nga periudha iliro-dardane, romake dhe më pas ajo bizantine, Prizreni ishte njëri ndër ndalesat kryesore në rrugën “Via de Zenta”, rrugë lidhte qytetet bregdetare të Adriatikut, me qendrat tjera në brendi të vendit.

Duke u ndërlidhur me rrugën jugore “Via Egnatia”, që shkonte deri në Selanaik, ”Theranda”antike apo “Prizdriana”e kohës bizantine, ishte urë lidhëse mes brigjeve të detit Adriatik dhe atij Egje.

 

Seli e një Ipeshkvie bizantine, Prizreni më 1204 bie nën sundimin bullgar, ndërsa më 1282 pushtohet nga serbët. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni ishte qendër e rëndësishme fetare, politike dhe ekonomike.

Më 1455, pas pushtimit turk, Prizreni kreu funksionin e qendrës së sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë Osmane, bëhet qendër vilajeti.

Në gjysmën e dytë të shek.XIX-të, në Prizren hapen përfaqësitë diplomatike të disa vendeve të Europës. Austria ishte vendi i parë që hapi përfaqësi konsulare, ndërsa këtë hap e ndoqën edhe Rusia, Anglia e Italia.

Prizreni, po ashtu, zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze, për mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

 

Në kohën e dominimit të prodhimtarisë zejtare, Prizreni u ngrit në një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta të këtij qyteti ushtroheshon më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi.

Në veçanti, Prizreni njihet për traditën e përpunimit artizanal të metaleve fisnike – filigranit. Prizreni ruan një potencial të lakmueshëm vlerash kulturore, trashëguara nga periudha të ndryshme historike.

Kalaja që ngritet në kodrën mbi qytet, Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjujve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedrala e Zonjes Ndihmëtare, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, Ura e Vjetër e Gurit, janë vetëm një pjesë e trashëgimisë së kulturës materiale që mund të hasen në qytetin e Prizrenit. Vlera muzeale dhe kulturore që ftojnë gjithmonë turistët.

 

 

Prizreni është i njohur edhe për traditën e mirë të kultivimit të arteve të bukura. Në te janë organizuar dhe vazhdojnë të organizohen manifestime të shumta kulturore tradicionale. Festivali i këngës së vjetër qytetare-« Zambaku i Prizrenit », Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër « Dokufest » fillimi i mbarë punës së Teatrit Profesionist të qytetit, ”Festa e vjeljes së rrushit” dhe një varg ngjarjesh tjera kulturore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, e bëjnë Prizrenin edhe më joshës në planin turistik. Kur kësaj i shtohen edhe bukurite e rralla natyrore të Maleve të Sharrit me qendrën e njohur skitare, me të drejtë mund të thuhet se “mozaiku i kërkesave turistike” plotësohet në tërësi.

Në strategjinë e zhvillimit dhe të investimeve në infrastrukturën kulturore të qytetit të Prizrenit, vend me rëndësi do të zë edhe restaurimi i objekteve të trashëgimisë, në funksion të krijimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në to.

Kalaja e qytetit: Fortifikatë e periudhes iliro-dardane, më pas romake, bizantine, sllave e turke, gjallëroi deri më 1915, kur u shkatërrua nga bullgarët, gjatë Luftës së Parë Boterore.

Me rehabilitimin e mureve rrethuese, brendisë së saj dhe rrugës që shpie deri në Kala, mund të krijohen parakushtet për ndërtimin e një amfiteatri me skenën verore, që do të shfrytëzohej për aktivitete të ndryshme kulturore. Në të mund të organizohen koncerte, shfaqje teatrore, festivale muzikore dhe të filmit si dhe manifestime tjera të kësaj natyre. Inaugurimi i amfiteatrit dhe skenës verore në Kala, do të kontribuonte në pasurimin e jetës kulturore të Prizrenit dhe të Kosovës.

 

 

Muzeu Arkeologjik: Është i vendosur në Kullën e Sahatit dhe galeritë e Hamamit të Ahmet Shemsudin Beut. Në te janë të ekspozuara 790 njësi arkeologjike, të zbuluara në regjionin e Prizrenit, që datojnë nga koha antike, mesjeta e deri në shek.XIX.

Hamami i Gazi-Mehmet Pashës: I ndërtuar më 1573, është njëri nga tre Hamamet më të mëdhenj në Ballkan, pas Hamamit të Husret Beut në Sarajevë dhe atij të Daut Pashës në Shkup.

Aktualisht, galeritë e Hamamit të G.M. Pashës shfrytëzohen me të madhe për ekspozita figurative e fotografike, për takime e promovime letrare, koncerte të muzikës kamertale, etj.

 

Me potencialin e pamohueshëm kulturor, të traditës historike dhe mundësive reale të bashkëpunimit, qyteti i Prizrenit mund të renditet në rrjetin e rrugëve kulturore të rajonit të Ballkanit dhe të Evropës.

Në këtë mënyrë, Prizrenit do t’i jepej vendi i merituar në varganin e margaritarëve të trashëgimisë së kulturës universale botërore, si qytet i traditës historike.

"Kuzhinë e shijshme dhe atmosferë autentike"

“Tendenze di Viaggio”: Shqipëria, peizazhe marramendëse

Favorizoi djalin e Tom Doshit pas aksidentit

Pezullohet Shefi i Qarkullimit në Lezhë

Në by-passin e Murrizit ka rënie të vazhdueshme të gurëve

Rruga e Arbrit përmbytet nga shiu, vështirësohet qarkullimi

Një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting

‘Forbes’ zgjedh Shqipërinë për aventurë emocionuese