Në kohët të luftës së përbotshme dhe më pas pushimit të armëve, kanë dalë në Gjermani shumë shkrime me titullin “Pse na urrejnë popujt e tjerë?” Kësi pyetjesh mund të bëjë çdo popull për hesap të tij. Shqipëtarët kanë dhe ata një problem për të zgjidhur: Të këqyrur nga të huajt, gjer pak vjet më parë, si një popull i rëndë, i ashpër, po fisnik, për të cilin një ingliz ka thënë një herë se është një popull plot me “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritmë nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime fajin më të madh e kanë levantinët./Konica.al
Rastësi të kem në tryezë, kur shkruaja këto radhë, tri kartëra me adresë zyrtare. Njëra thotë “British Embasyy”; tjatra “Ambassade de Belgique”, e treta…”Legatian Royalë d’Albania n’aksh vend! Kjo mungesë urtësie dhe turpi nga ana e një mbretërie aqë të re, nuk shfaq vetëm një shije të keqe, po dhe një soj mosmirënjohje. Dua të thom këtë: Në një kohë kur njerëzia sa vete dhe po largohet nga forma monarkike duke shfaqur pëlqimin për formën republikanë të guvernës, është fatbardhësi e parpritur për Shqipërinë që ndryshimi i regjimit u njoh aqë shpejt prej të gjithëve. Mund të quhet sikur, në një mbledhje, ku s’pi njeri duhan, na u dha leje të pimë; kuptimi, të sjellurit e mirë, fisnikëria, e duan që të pimë cingaren tonë mbë’ nj’anë dhe me masë, jo të mbushim gojën me tym dhe t’ua lëshojmë syve atyre që s’pinë vetë po s’na pengojnë të pimë në duam.
Nga pesëdhjetekatër përfaqësi diplomatike të huaja që ndodhen në Washington, ndonëse ka më tepër se njëzet që përfaqësojnë mbretër, vetëm tre a katër përdorin shtime me ngjyrë romantike të tepër, dhe këtë e bëjnë për arësye të kuptuara. Për shembëll Legata e Hungarisë, duke shtuar fjalën Mbretnore ka qëllim t’i përmend botës se Hungaria, ndonëse s’ka edhe mbret, është dhe mbetet një monarki me fron të zbrazur. Italia përdor kurdoherë fjalët “Reggio Governo”, “Reggia Ambasciata”, “Reali Crabinieri” etj., po pa dyshim për arësye historike të cilat do të jenë të shëndosha; mundet (bëj një hipotezë vetëm) se Cavour-i në kundërshtim me mendimet republikane të Mazzinit e të Garibaldit ka dashur në kohë të tij të ngulë këmbë si karakterin monarkik t’Italisë së bashkuar nënë Derën e Savojës. Një insistencë e tillë s’ka arësye as kuptim në një vend si Shqipëria, ku as ka patur as ka lëvizje republikane të vërtetë.
Diplomatët e huaj në Shqipëri, nënë maskën e patundur që e do shkalla zytare e tyre, gajasen së qeshuri kur këndojnë në letrat tona fjelë si këto: “Lart-Madhësia e Tij. Mbreti Sovrani im August”. Levantinët tanë po të kishin dëshirën e stërvitjes, do të hapjin nga nonjë herë libra historike, dhe do t’shikojin, për shembëll, se në kohën e Monarkisë, në Francë, minstrat thoshin “le gouvernement du Roi”, “Guverna Mbretit”. Po në Tiranë kush ka nge të këndojë, kush ka zotësi të kuptojë? Levantinët tanë kujtojnë se në të thënët “Le Roi”. I gënjen mendja. “Mbreti” vetëm, ka më tepër rëndësi se “Madhështia e Tij Mbreti Sovrani im august” – gjithë për atë arësye që një palë rroba të zeza të murrme, me kapella të zeza dhe më këpucë të zeza, është më veshje fisnike se një pallto e verdhë me një jelek të kuq, pantallona të gjelbra, këpucë me lule dhe kapello ngjyrë manushaqe me zile të vogla rreth e rrotull strehës.
Me këto sjellje i bëhet Mbretit tonë një padrejtësi e madhe, se ata që nuk njohin doemos besojnë që këto shkëlqime aziatike dhe afrikane i pëlqejnë. Përkundrazi, mbreti i urren marrëzitë. Dëshira e tij është të zhdukë çdo ceremoni të panevojshme, të shuajë frazeologjit’ e fryra, t’arrijë në simplicitetin fisnik që ka, për shemëbll, oborri i Norvegjisë ose ai i Danimarkës. Po në vend që të gjejë përkrahje të mençur për këtë dëshirë të tij, gjen kundërshtime, se dallakaukët që e rrethojnë duantë tregojnë zell, – një zell i cili duhet të na vërë në dyshim, për kthjelltësinë e tyre; se po ta dojin Mbretin me të vërtetë, do t’mundoheshin t’i rritin nderin në sy të botës.
Një nga çudirat e levantinëve është urrejtja e tyre për veshjen kombëtare. Janë të bindur se e vetmja gjë që e ndan njeriun e qytetëruar nga njeriu i egër është të veshurit; letrat, artet, hollësit e mendjes dhe të shpirtit, të mbledhura dhe të trashëguara brez pas brezi, në sy të tyre s’kanë rëndësi fare. Ata kanë shtënë sevda të veçantë mbi kapellon dhe mbi frakun. Çdo mbulesë e kryes, po s’qe kapello, u duket orientale. Do t’u binte të hollët nga habia sikur t’u thosh njeri se festja dhe qylaku dhe takija janë përkundrazi më evropiane se kapella. Me që s’shkelin kurrë në muzetë, as hapin libra, koka e tyre e lyer dhe e krehur dhe e kapelleciar, mbtet me një tru aq të pagdhendur, sa truri i njerëzve që hanë mish njeriu në thellësirat e Borneas.
Po t’i gënjente dikush dhe t’i shpinte njëherë në një muze të Vjenës që quhet “Albertina”, do të shikojin atje një fyrtyrë të çmuar të shkruar nga i madhi artist gjerman i Rilindjes Albrecht Duerer (1471-1528): Kjo fytyrë të cilën po e përsëritim, këtu, tregon babanë e Albrecht Duerer-it. Vëni re se plaku mban takije e cila i shëmbëllen takijes së Shqipërisë së Jugut në çdo pikë: edhe maja posi thumb, që ka takija jonë, duket qartë në takijen e babait të Duerer-it. Mund të shfaqim edhe shumë shëmbëlla, po ç’qe nevoja? Njerëzit me kuptim as që duan të humbasin një çast me të tilla gjepura për ta, kanë një rëndësi të pashoqtë./Konica.al
Shkëputur nga: “Shqipëria si m’u duk” – Faik Konica, 1924