Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja, për të cilin hodhi akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, teksa tha se bashkëpunon me bandat kriminale dhe ushtron presion e shantazh mbi zyrtarët e administratës.
Gjatë takimit të përjavshëm me “platformën bashkëqeverisëse”, kreu i qeverisë ka paralajmëruar prokurorin Ndoja se nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, dhe se bashkë me prokurorët e gjyqtarët e tjerë të korruptuar, do të japin llogari për pasurinë e tyre.
Ndër të tjera, kryeministri ka deklaruar se asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk do t’i shpëtojë dot paratë e zeza të krimit dhe shpërblimet e majme të përfituara nga organizatat kriminale, edhe pasi Vettingu i përjashton. Sipas Ramës, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që shkarkohen nga Vettingu, do të rikthehen për të dhënë llogari.
“Qytetarët nuk e hedhin fjalën në erë, por kur na adresohen, marrin përgjigje. 34 mijë ankesa kanë marrë përgjigje pozitive, ndërsa kur qytetarët të dëshpëruar na drejtohen për sistemin e drejtësisë, por ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë.
Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon.
Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë.
Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, tha Rama.