MENU
klinika

Interes për të ndjekur shembullin e Shqipërisë

Reforma në drejtësi/ Mblidhen në Shqipëri ministrat e Ballkanit Perëndimor

04.10.2019 - 10:18

Mblidhen në Shqipëri ministrat e drejtësisë së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë shqiptare.

Fokus i konferencës rajonale të nivelit të lartë janë reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta që gjenden përpara.

“Ministeriali i Drejtësisë”, zhvillohet për të dytin vit radhazi në Tiranë.

Ministeriali i radhës i drejtësisë do të jetë në Shkup, ku edhe Maqedonia e Veriut njëjtë si Shqipëria është në pritje të vendimit të rëndësishëm për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Teksa i ka uruar mirëseardhjen të gjithë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në këtë ministerial, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se për të dytin vit radhazi kjo konferencë e nivelit të lartë, është tregues kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.

“Kjo konferencë rajonale e nivelit të lartë, e organizuar me iniciativën dhe mirëkuptimin tonë, pa mbikëqyrjen e zakonshme të institucioneve ndërkombëtare, mbart edhe një tjetër vlerë të rëndësishme. Është një sinjal pozitiv, një tregues mjaft kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive tona, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, angazhimin për të bashkëpunuar edhe vetë në nivel rajonal me synimin për të çuar përpara me reformat për forcimin e shtetit të së drejtës edhe në funksion të integrimit evropian”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë vuri theksin edhe te sfidat e rajonit për forcimin e shtetit të së drejtës.

“Vendet tona ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyç e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për tju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë europiane”, nënvizoi Gjonaj.

Sa i takon reformës në drejtësi, ministrja solli në fokus interesin që kanë treguar disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur shembullin e Shqipërisë mbi reformimin e sistemeve të tyre.

“Ndjehem mirë t’ju informoj se reforma në drejtësi në vendin tim ka qenë mbresëlënëse dhe rezultatet e para pozitive justifikojnë plotësisht sfidat e vështira në rrugëtimin e gjatë, thuajse 5-vjecar të inicimit, hartimit dhe zbatimit të saj. Jam e kënaqur tek shoh që shumë vende të tjera në rajon dhe jashtë tij, shohin tek kjo përvojë modelin për t’u replikuar si një përvojë pozitive”, theksoi Gjonaj në fjalën e saj.