MENU
klinika

Rruga e Re e Arbrit

Reportazh/ 75-vjeçari përshkon Tiranë-Dibër për 17 orë

22.10.2019 - 00:07

       Ftesës së mikut dhe shokut tim, Dori Bulkut, për të bërë një rrugëtim në këmbë nga Tirana deri në Peshkopi, Rrugës së Arbrit, 75 km. të gjatë, së bashku me të dhe shokët e tij, e kisha pritur me kënaqësi të veçantë. Doja të ndaja  gëzimin tim me ta për ndërtimin e kësaj rruge, që lidh vendlindjen e  tyre, Peshkopinë, me kryeqytetin, Tiranën, por edhe me Iliridën. Dhe s’kishte si të mos u bashkohem  sepse, shumë, tepër shumë, i  kemi përjetuar ndarazi  gëzimet dhe pikëllimet tona. Përveç kësaj, hapësirat gjeografike të atdheut  tonë kurdoherë i kam ndier e vlerësuar si hapësira shpirtërore.  Do të ecja andej nga kishin udhëtuar paraardhësit tanë, arbërorët, do të shihja nga afër shumë vise e vendbanime të Qarkut të Tiranës dhe të Krahinës së Dibrës heroike, vende këto të njërit krah të Atdheut tonë- dashurisë sonë  të ndaluar për më se një shekull, të cilin jo vetëm që s’guxonim ta donim haptazi por, për më tepër, çdo manifestim publik i atdhedashurisë ndodhte të paguhej edhe me jetë./Konica.al

Këtë fakt, për fat të keq, sikur e kemi harruar fare, ndaj nuk po i shfrytëzojmë mundësitë e shumta që na janë krijuar falë sakrificave  të brezave e brezave, për t’u njohur, bashkuar e vepruar si pjesëtarë të një kombi dhe të atdheut të përbashkët. Për këtë arsye, si punonjës shumëvjeçar i arsimit, më brengos fakti i mosangazhimit të të rinjve në këtë drejtim. Përveç kësaj, unë dhe bashkudhëtarët këtë udhëtim e vlerësonim dhe e vlerësojmë si shpërfaqje të gëzimit tonë për ndërtimin e kësaj arterieje të rëndësishme rrugore, që duke e lehtësuar e shkurtuar komunikacionin, i afron njerëzit, bënë të njihen e duhen më shumë,  i bashkon viset e Atdheut tonë ende të ndarë me kufij, ndarje kjo, nga e cila ka pësuar më së shumti populli ynë e,  njëkohësisht, edhe si shpërfaqje të mirënjohjes sonë individuale e grupore ndaj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për ndërtimin e saj. E theksojmë këtë për arsye se ne, si popull, duke parë  kryesisht  veprimet joracionale të institucioneve tona shtetërore, si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës, nganjëherë s’duam t’i shohim edhe  sukseset.

 

Ditën e premte, më dt. 11.10, pasi i  ngarkojmë gjërat e nevojshme në  ’’Landroverin’’ e Dori Bulkut, babai i tij, Bimi, Dori Cani, Nerti  Jova, Dori Bulku, Belin Zeneli dhe unë, nisem drejt pikënisjes së paraparë, drejt fshatit skajor të Tiranës, fshatit Ferraj.  Bukurinë e Tiranës na e zbehte ca periferia e saj, por kthjellimi i qiellit na shtonte shpresën për ditë të mbarë e me diell. Në orën 7:30 arrijmë në vendin e caktuar prej ku do të fillonim udhëtimin në këmbë. Aty  na priste ekipi i ’’TV Klanit’’, gazetarja fytyrëqeshur dhe zëëmbël, Brunilda Cami dhe kameramani, Klodian Keqi. Ata do t’na përcjellin me makinën e tyre deri në Qafë të Murrizit. Prania e tyre s’kishte si të mos na e shtojë vullnetin për misionin që kishim marrë. Sipas bashkudhëtarëve, ne ishim të parët  që do të bënim  një udhëtim të tillë në atë relacion, pas sa e sa dekadash!

 

Lugina e lumit të Tiranës, të cilës i bën roje Dajti kryelartë, na  ofronte pamje të mrekullueshme. Trajtat e shkëmbinjve laroshë dhe të gurëve, të krijuara me shekuj, kombinimi i shumë elementeve të ndryshme që përbënin një tërësi  harmonike, dukeshin si t’ i kishte formësuar dora e skulptorit. Por, ajo që më bënte përshtypje të veçantë, ishte interesimi i bashkudhëtarëve për Kosovën,  për arsimin shqip gjatë okupimit klasik të Kosovës e, veçmas,  për  Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më të rinj që ishin, kisha kënaqësinë t’u flisja për atë periudhë të lavdishme, t’ u tregoja se kisha pasur fatin dhe nderin t’ i njihja disa prej atyre vajzave e djemve që ishin nga  të gjitha viset e Atdheut tonë, të  cilët shkonin në luftë pa ua vënë veshin atyre që propagandonin se nuk mund të luftohej kundër pushtuesve serbë e malazez, që propagandonin se vetëm për disa orë ushtria serbe e malaziase  mund ta bënin shkrumb gjithë Kosovën, por trimat e trimëreshat, të  vendosur  t’i  dilnin zot Atdheut, përgjigjeshin  se askush nuk mund t’ i ndalonte të vdisnin për Kosovën, t’u tregoja se nuk e kisha lehtë të ndahesha me ndonjërin prej nxënësve të gjimnazit ‘’Xhevdet Doda‘’ kur më njoftonte se po shkonte t’u bashkohej luftëtarëve të lirisë, t’u flisja për nxënësit të cilët, duke rrezikuar edhe jetën,  shkonin në zonat e luftës, veçmas në Drenicë, për të parë gjendjen reale dhe përgatitur artikuj  për të  vërtetën e luftës çlirimtare, që i botonin pastaj në ‘’Gjimnazisti’’, revistën e xhevdetdodasve,  e cila në vitet 1998 e ‘99 ishte shndërruar në tribunë publike të UÇK-së, jo vetëm për rininë kryeqytetase. Gjatë bisedës nuk mund të mos u flisja edhe për epopenë e Prekazit, të dt. 5,6 e 7 mars 1998,  luftën e familjes dhe vëllazërisë Jashari, e cila e ka lartësuar historinë tonë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar. Ndaj, edhe sot, si punonjës shumëvjeçar i arsimit, më brengos fakti se  shkollat shqipe, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia, Kosova Lindore, Mali i Zi, madje edhe nga Kosova, nuk organizojnë ekskursione për ta vizituar  Prekazin  dhe  vendet ku është shkruar historia jonë më e re.

 

 

Kështu, bisedë pas bisede, përgjigje pas pyetjeve, do  t’i lëmë pas kilometrat  e trasesë së rrugës nëpër luginë dhe  do të arrijmë rrëzë fshatit Murriz, që ashtu sikundër edhe fshatrat tjera fqinje, dukeshin si dekor i asaj shpatine mali. Ecja nëpër dhiare për të shkurtuar rrugën, dhe dielli përvëlues, kishte bërë të lodheshim ca, por pushimi dhe dreka me djathë e domate vendi, çfarë s’i kisha shijuar më parë, do t’ na këndellin për të vazhduar tutje. Fshati Murriz, siç do t’ më tregojnë, ishte vend i domateve, të cilat rriteshin pa pasur nevojë të spërkateshin me preparate mbrojtëse. Me domate të tilla furnizohej edhe tregu i Tiranës.

Qafa e Murrizit, ku do të arrijmë në orën 13:30, ishte mrekulli e vërtetë. Ajo ma shkonte mallin e Qafës së Borit  të vendlindjes time, fshatit Vuthaj të Plavës e Gucisë. Bredhat erëkëndshëm, ahishta e dendur e cila, fatbardhësisht, nuk ishin prerë e djegur siç më kishte rënë t’ i shihja gjetiu, uji i ftohtë dhe i pastër, e bënin këtë vend perlë  të bukur turistike çfarë do të shihnim edhe tjera në vazhdim.

Fatbardhësisht perla të tilla natyrore ka shumë gjithandej Atdheut tonë, ndaj edhe rrugëtimin tonë e konsideronim si një ftesë qytetarëve, veçmas të rinjve, për t’i vizituar e shijuar ato, për të jetuar me natyrën e virgjër dhe të   pastër.  Për fat të keq, bukurit e të mirat që sjellë natyra, shumica e të rinjve tanë nuk përpiqen t’ i shijojnë  fare , apo thënë ndryshe, mjerisht, ‘’i shijojnë’’ në facebook.

Aty, në Qafë të Murrizit, pasi përshëndetemi me Brunildën dhe Klodianin, detyrën e kameramanit, herë me dron e herë me aparat fotografik, do e merr Belino. Duke vazhduar rrugën mrekulloheshim nga pamjet që shtriheshin para nesh, kodra dhe lugina gjelbëroshe të pafund. Dhe, s’ kishte si të mos bindesha për të satën herë se pjesët më fushore e pjellore i  janë shkëputur e lënë jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore. Rrugës tatëpjetë ecnim ca më shpejt. Para se të arrinim në fshatin Guri i Bardhë të Pjetër Budit, njërit prej poetëve të parë shqiptar dhe luftëtarit me pendë e pushkë kundër okupimit turk, e takojmë gurabardhasin, Tahir Stafën dhe bashkëshorten  e tij, dikur mësuese e tani në pension. Ai tregon se në  sistemin komunist kishte siguri të plotë, mbrojtje shëndetësore… e sot, pa lekë s’ ke mjekim. Të rinjtë kanë ikur  e po ikin jashtë, shton ai. Meqë koha s’na premtonte, s’arritëm të mësojmë diç për Budin dhe truallin ku ishte lindur. Këtë dëshirë shpresoj ta plotësoj ndonjëherë tjetër. Duke ecur rrugicave të fshatit e më pas dhiares malore, arrijmë te shtëpia e Medi Sinës, pranë lumit Mat. Pasi na pret me përzemërsi, na tregon kopshtin  ku mund t’ i ngrinim tendat,  por kur e pyesim për pagesë, hidhërohet. Mos e përmendni edhe një herë atë punë, shton prerazi. Më pas na tregon se aty ishin vendosur para afro dy shekujsh, sa jeton me prindër, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Kur e pyes se a mërzitën që jetonin fare vetëm, pa pasur asnjë shtëpi afër, thotë se s’ e lë puna të mërzitet. Kjo shihej edhe nga arat, kopshti, pemët, hurdha e peshqve… Ai merrej edhe me mbledhjen dhe kultivimin e bimëve mjekësore.

Pasi e kalojmë natën të përcjellë nga ushtima e lumit Mat,  në mëngjesin e dt.12.10, shkojmë ta shohim Urën e vjetër të Vashës e, më pas, të përcjellë nga Mediu, ngjitemi të ura e re,  po me të njëjtin emër. Këto dy ura sikur  shënonin dy epoka, atë të kaluarën dhe epokën e re të sotme.  Vendi  dhe konstruksioni i urës së re që lidhte dy anët shkëmbore të luginës së Matit, na mrekullojnë, ndaj  nuk mund ta përballonim kureshtjen për ta parë nga afër  dhe  kaluar nëpër të./Konica.al

Donim të ishim udhëtarët e parë që kalonim nëpër këtë vepër madhore arkitekturore, ndaj, falë ndërmjetësimit të deputetes së Qarkut të Dibrës, znj. Almira Xhembulla dhe mirëkuptimit të kompanisë ‘’Gjoka Construction’’,  realizuese e projektit ndërtimor, kalojmë nëpër trarët e urës të përcjellë nga inxhinieri zbatues, Halil Bushi, i cili na tregon  se konstruksioni metalik i urës është 316 m. i gjatë, ndërsa lartësia nga sipërfaqja e lumit Mat, 152 m. Ndonëse isha i mësuar me lartësitë e majave,  shikimin poshtë urës, drejt greminës, e përjetoja ca si me ndrojtje.  Pasi zbresim në luginën e Qafës së Buallit, vazhdojmë deri në qytetin e minatorëve, në  Bulqizën e njohur për minierat e kromit, nga të cilat nxjerrin fitime jo të pakta kompanitë e huaja. Duke ecur fshatrave të Bulqizës, hasim në monumentin kushtuar viktimave të krimeve të ushtrisë serbe të bëra në vitin 1918. Lodhjes, të cilën kishim filluar ta ndienim, tani i shtohet edhe biseda jo e këndshme për krimet serbe. Krime, krime, që nga viti 1878 e këndej. O Zot! Si s’u ngopen me krime kurrë.

Arritja në Fushën e Gjoricës, Logun e Kuvendit të burrave të Dibrës, që  shkatërruan ushtrinë pushtuese të Haredin Pashës, në logun e luftëtarëve të paepur kundër pushtuesve sllavë, të prirë nga heroi dibranë, Elez Isufi, na bën të harrojmë  fare lodhjen. Dhe, në orën 21, 23, të dt. 12.10.  të dy Dorët, Dori Bulku dhe Dori Cami dhe unë, arrijmë aty ku përfundonte traseja e Rrugës së Arbrit, në fshatin Majtar të Dibrës. Urimet dhe përqafimet me njëri- tjetrin për arritjen e qëllimit, na lumturonin pa masë.

Ky udhëpërshkrim do të ishte i paplotë sikur të mos përmendnim darkën me specialitete dibrane, që na e kishte përgatitur nëna e Dorit, zonja Servete. Jufkat e shijshme, mishi i qengjit i përgatitur sipas traditës shumëvjeçare, djathi i dhive, domatet dhe trangujt e freskët, ëmbëlsira… të përcjella me raki të ndenjur me thana, na shijonin sikur të mos kishim ngrënë sa e sa kohë.

 

     Të dielën, më dt. 13.10, Dori, nismëtari i rrugëtimit që kishim bërë, duke ditur dëshirën time për të parë sa më shumë vende, do t’na shpie  rrugës nëpër Gollobordë, nëpër Parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë,  kuptohet, tani më makinë.  Toponimi  sllav, Gollobordë,  Jabllanicë… m’i kujtonte emërtimet e tilla të shumta që i kisha vërejtur anekënd Shqipërisë, gjë që s’e kisha kuptuar asnjëherë pse nuk ishin zëvendësuar me emra shqip. Ndonëse çështje shumë personale, por s’e kupton njeriu se si dhe pse, edhe sot e kësaj dite, shumë prindër  më parë  parapëlqejnë t’i emërojnë fëmijët e tyre me emra të huaj se me emra shqip. Veprimi i tillë është edhe më i pakuptimtë, kur dihet se edhe emrat vetjakë janë pjesë e kulturës dhe identitetit kombëtar.

Pasi kalojmë Librazhdin, Elbasanin, në mbrëmje arrijmë në Tiranë. Takimi dhe pushimi me Bonën, mikën tonë të përbashkët, prania e të cilës na bënte të ndihemi mirë si kurdoherë më parë, ishte si një shpërblim për misionin tonë të realizuar me sukses. /Konica.al

 

Nga: Binak Ulaj

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874