Kështu deklaron kryeministri Edi Rama nga samiti i Ligës Arabe që po mbahet sot në Athinë. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare u ndal tek strehimi i muxhahedinëve ndërsa pohoi se siguria është në rrezik për shkak të aktiviteteve miqësore në Iran.

“Po jetojmë një situatë të veçantë për sigurinë e cila është në rrezik nga aktivitetet armiqësore në Iran. Mirëpritëm mijëra vetë nga opozita iraniane, të cilët gjetën strehë në Shqipëri. Ne jemi popull mikpritës, kemi histori krenarie. Ne i hapëm dyert të shpëtojmë këta mijëra iranianë. Mikpritja lidhet me një kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare. Prandaj është e rëndësishme të bashkëveprojmë. Me botën arabe jemi në kushte miqësore. Shpresojmë t’i çojmë edhe më tej lidhjet tona”, tha Rama.

Kujtojmë se pak ditë më parë policia e Shtetit deklaroi se kishte parandaluar një sulm terrorist që ishte planifikuar të ndodhte në vendin tonë në festën e Novruzit, ndërsa u identifikua celula terroriste. Shënjestër e sulmit terrorist ishte organizata MEK, ndërkohë që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 4 pjesëtarë të kësaj celule.