MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Shah me Pendarovskin, apo me Vuçiçin?

26.10.2019 - 14:31

Pendarovski, viziton sot Tiranën. Është nga vizitat e rralla, që presidentët e vendit fqinj, bëjnë në Shqipëri. Nga të gjithë presidentët e Maqedonisë, më ka bërë përshtypje dikur Boris Trajkovski, me atë edukatën e tij, gati të një prifti të edukuar mirë. Përshtypje kjo, që m’u forcua kur në një diskutim mbi marrëdhëniet e komplikuara të dy vendeve tona, tha thjesht:

“Problemet tona me shqiptarët do të mbarojnë përgjithnjë dhe miqësia e vërtetë me ta, fillon kur të mbarohet Korridori i tetë…”

Vizita e Pendarovskit, vjen në një moment kur njihet refuzimi francez, për të dy vendet, në lidhje me procesin e asociimit në BE. Qoftë thjesht protokollare –  apo për të bashkërenduar veprimet se çfarë duhet të bëjnë vendet tona të vogla, pas këtij refuzimi – kjo nuk mund të thuhet saktësisht. Po në të gjitha rastet, kjo vizitë duket e qëlluar.

Ndërkohë, mbrëmë në Tiranë ishte dhe Albin Kurti, që duket se do të kryesojë qeverinë e re, pas zgjedhjeve. Them se ende nuk janë numëruar të gjitha votat dhe hyrja e ndonjë partie të re në kuvend, pasi të ketë mbaruar plotësisht ky numërim, mund t’i komplikojë nga pak gjërat. Apo ndryshe, t’i kufizojë, lëmojë a diçka më shumë… t’i moderojë qëndrimet e liderit të ri.

Vizitat e përmendura, janë të një karakteri ndoshta në dukje, thelbësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Vetë i bashkoj ato në formë figurative, nisur jo vetëm nga titulli i artikullit. Nga gjendja aktuale, diskutimet e kohëve të fundit që përfunduan me krizën e njohur në Kosovë, dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjet e reja, të lënë të besosh, se vizita e Albin Kurtit është ngjarje më e rëndësishme në pamje të parë.

Kjo thënë troç, sepse po kërkohet të gjendet një zgjidhje e drejpërdrejtë në marrëdhëniet me Serbinë. Kjo zgjidhje, duhet të jetë gati brenda marsit, apo ndryshe, një periudhë kur zgjedhjet e reja në Amerikë fillojnë e duken te pragu i derës dhe Presidenti Tramp, ka nevojë për një sukses në aftësitë e tij si negociues në zgjdhjen e krizës Kosovë-Serbi. Thënë më thjesht, kjo do të shihej edhe si një dhuratë në prag të rikandidimit të tij, për një mandat të dytë. Dihen qëndrimet e Kurtit, për Serbinë, në këtë rast dhe po ashtu, roli i Shqipërisë, që duan apo nuk duan shumë njerëz, është e preokupuar dhe e detyruar të afrojë ndihmën apo eksperiencën e shtetit mëmë, që ka njëqind vjet formuar…

Vetë kam pasur një qasje fare të thjeshtë në këto hesape… Në një intervistë që kam dhënë në televizonin e Mitrovicës, pyeta moderatorin e emisionit:

A është shtuar apo pakësuar buxheti për këtë qytet ku rrojnë të dy palët, pas përzënies së Serbisë ?

Më tha, se  ishte pakësuar rreth 5 herë. Po të besoj ty – i thashë, – nga ky qytet duhet t’ia mbathin edhe shqiptarët veç serbëve, sepse nuk kanë me se të rrojnë. Po të fusim edhe konfliktet e llojit tjetër… vetëm rrëmuja do të presim.

Duke thënë këtë gjë, i duhej dhënë fund diskutimit dhe për t’iu kthyer titullit të artikullit, mendoj se Kurti, ka më shumë të drejtë kur flet fillimisht, vetëm për integrim të serbëve, veçanërisht në këto zona

Ka shumë mjete për këtë gjë dhe ajo që të vjen si fillim, në mend, është ajo e një zone të lirë, që lehtëson hesapet midis dy palëve, gradualisht e në mënyrë natyrale.

Ndërkaq në shahun e komplikuar që po luhet pavarësisht, momentit, mendoj se ai me Pendarovskin është shumë herë më i mirë se me Vuçiçin. Edhe pa qenë ekspert i mirë i gjeopolitikës, mjafton të shikosh hartën që ia kam paraqitur edhe herë tjetër, lexuesve të Konicës. Nëse do të ndërtohej Korridori i tetë – shihet shumë mirë, se në zonën tonë Shqipëri-Maqedoni e Veriut, – ai kryqëzohet me Korridorin tjetër. Kaq, për të kuptuar rëndësinë e pozicionit kyç që luan Maqedonia e Veriut dhe pastaj, Shqipëria, në rajon e më gjerë.

kolana e librave

 

Referuar gjeopolitikës së vjetër, do të ripreferoja të citoja Bismarkun, që thoshte: “Kush zotëron Maqedoninë, zotëron Ballkanin e rrjedhimisht, Europën.”

Hyrë akoma më në lashtësi, mund t’i referohesh Strabonit, që thoshte se ilirët, epirotët dhe maqedonasit ishin kushërinj të parë. Kjo i dallonte nga grekët, që nga ana e tyre, i quanin këto raca, thjesht barbare. Përkundër kritikës, që mund të thoshte se maqedonasit e djeshëm nuk janë ata që e quajnë veten të tillë, sot do të thosha se, kjo nuk ka fare rëndësi.

Emërtimi i Strabonit, tregon lidhjen e afërt  midis tyre dhe të njerëzve që posedojnë një vend me karakteristika që i bën të ndjejnë e të afrohen me njëri-tjetrin, në pikpamjen e shfrytëzimit të resurseve, apo pozicionit gjeografik.

Shahu me Pendarovskin është shumë herë më i mirë, se me Vuçiçin. Dikur, Berisha mbante idenë se lidhja me Kosovën, bëhesh drejpërdrejt dhe jo mes një pale të tretë… prandaj zgjodhi rrugën Durrës –Kukës. Mund edhe të kishte të drejtë, megjithëse në Korridorin e tetë, përkundrejt kësaj rruge që zgjodhi, kishte po prapë shqiptarë. E veç kësaj, rruga e zgjedhur prej tij, kërkon daljen në Nish, të cilën një zot e di, kur mund ta përfundojë Serbia, apo thjesht, ta mbarojë kur t’i volisin interesat e saj…

Rruga e Shqipërisë, që të lidh me Maqedoninë, kalon në Qafën e Thanës dhe pala e tyre, po i afrohet me autostradë asaj. Pala jonë, ndërkaq, po shkon drejt Rrugës së Arbrit. Nuk ka ndonjë lidhje me çfarë u tha më lart, por ndoshta, maqedonasit kthehen edhe njëherë, dhe lidhin këtë rrugë me të tyret, për të na shpënë drejt destinacioneve të ndryshme që afrohen nga Maqedonia. E cila duhet quajtur, – për shkak të pozicionit, – një qendër dispecerie. Prej nga ku shkon në Stamboll (Rrugën e Mëndafshit, nesër), Europë qendrore apo Rusi, nëpërmjet Ukrahinës, po të doni.

Komunisti plak, Ramiz Alia, më thoshte dikur, se ajo që urdhëroi në ’89-ën të tijët, ishte të diskutonin me Maqedoninë, bërjen e atyre kilometrave hekurudhë, që të lehtësonin mallrat tona të karakterit minerar etj. Çka nuk u bë për shumë arsye, që edhe dihen e nuk vlen të përmenden.

Ka shumë argumente që të nxjerrin në idenë, se, shahu me Pendarovskin është më i mirë, se me Vuçiçin. Vetë do të kufizohesha të thosha se, ky vend më i vogël se ne, do të ishte një aleat shumë herë më i mirë, për të realizuar idetë tona, sesa Serbia. Ndoshta është më mirë të hyjmë në Europë, me rrugë që kalojnë nga Shkupi, se nga Nishi. Dhe kjo, ndoshta edhe vetë Kosovës, do t’i shërbente ca më shumë…

Duke konkluduar… Shahu me Pendarovskin, pavarësisht rrethanave që përcaktojnë zhvillimet e tanishme, është më i mirë se ai, me Vuçiçin.

Dhëntë Zoti gaboj, por jam i prirur të besoj deri në fund dhe do ta bëj vazhdimisht qëllim të të shkruarit, se ndërtimi i Korridorit të tetë, që fillon nga Vlora dhe Durrësi, për ne dhe kryqëzimi i tij me Korridorin 10-të, që kalon nëpër Maqedoninë e Veriut, është një nga trarët e mëdhenj ku duhet të qëndrojë vendi. Ai, thjesht shndërron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në “Zonjat e rënda të Ballkaniit…”