MENU
klinika

Nazarko: Pse heziton LDK për koalicion?

“SHBA do punojnë me atë qeveri që ka dialogun prioritet”

08.10.2019 - 19:12

Analisti Mentor Nazarko ka analizuar për News24 procesin zgjedhor të 6 tetorit në Kosovë dhe situatën paszgjedhore.

Ai theksoi se populli i Kosovës votoi me një pjekuri të jashtëzakonshme në favor të ndryshimit. “Zgjedhjet gjithsesi ofrojnë mënyra të ndryshme leximi që mund të ngjajnë kontradiktore, por  që ama mund të jenë të gjitha të sakta. Nëse do bëjmë shumatoren e partive që ishin pjesë e qeverisjes do të vëmë re që ato morën thuajse të njëjtin rezultat si kur ishin në koalicion të përbashkët.

Vetëvendosje nuk pati një ndryshim të madh në vlerë absolute përveç se asaj që i rezistoi në mënyrë të shkëlqyer pa u dëmtuar nga dalja e fraksionit të PSD-së. Duket sikur sistemi proporcional kombëtar nuk lejoi ndryshime të mëdha në rezultatet finale.

U votua në favor të ndryshimit, për forcat që duan ta çlirojnë shtetin nga kapja, e atyre partive që prej 20 vjetësh qeverisin. Dy shpirtat e këtij ndryshimi përfaqësohen respektivisht nga LVV dhe LDK. Po e marrim LDK-në, ku me disa lëvizje brilante, kreu i kësaj partie arriti të ruajë unitetin e partisë që kishte disa fraksione, ta modernizojë imazhin e saj duke kandiduar një femër. Shtuar këtu fushatën e zonjës Osmani- këto lëvizje e rritën partinë. Shpirti tjetër i ndryshimit u përfaqësua nga Lëvizja Vetëvendosje, lideri i saj Kurti, që mori vota të rinisë, votuesit të herës së parë, të pakënaqurve që vijnë ngaLufta, nga një pjesë e diasporës, pse jo dhe një pjesë e ndjeshmërisë klerikale. Lëvizja Vetëvendosje tregoi koherencë, nuk u përfshi asnjëherë në qeverisje, ndryshe nga LDK-ja,” tha Nazarko.

Nazarko e lidh hezitimin e LDK-së për të bërë koalicion me Vetëvendosjen e cila ka dalë e para,  me disa arsye, duke relativizuar megjithatë me fjalët: “unë nuk mund të shtie fall dhe as kam informacione, thjesht mund të supozoj”. Por Nazarko thotë se çështja e koalicionit nuk është thjesht një çështje e brendshme, por edhe ndërkombëtare. SHBA-të e kanë bërë të qartë se do të punojnë me atë qeveri që është e përkushtuar tek dialogu, vijoi ai.

Nga ana tjetër ai shprehet se Vetëvendosje u bë bartësja kryesore e vullnetit për ndryshim, ndonëse në vlerë absolute nuk pati ndonjë ndryshim të madh nga zgjedhjet e kaluara. AAK pati rritje, por jo ajo që pritej nga zoti Haradinaj kur vendosi dorëheqjen.

“Duhet supozuar se ka shumë arsye pse LDK e bën një gjë të tillë. Së pari vlera e votave të veta që është më e madhe sesa ajo thjesht numerike. Kemi parë në politikë që një parti e vogël ka forca kushtëzuese të madhe kur votat e saj janë të domosdoshme për të bërë koalicionin qeverisës, domethënë shumicën absolute. Ndaj ajo ka rritur fuqinë e saj negociale dhe ka imponuar, ka marrë kryeministra. Aq më shumë një parti si LDK-ja që ka një deputet më pak se forca fituese, LVV, është brenda të drejtës së saj që të rrisë pazarin.

Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është programore. Janë dy parti të cilat kanë diferenca të mëdha programore, diferenca të mëdha të paktën deri tani,qasje të ndryshme ndaj dialogut, etj. Është krejtësisht normale që ato kërkojnë kohën e tyre për të konvergjuar pozicionet. Natyrisht dhe për të bërë pazarin më të mirë.”

Ndërkohë dua të supozoj se formula e koalicionit nuk është thjesht një çështje e brendshme, por edhe ndërkombëtare”, deklaroi Nazarko.