MENU
klinika

Shkarkimi i Trump

SHBA/ Shtëpia e Bardhë ‘bojkoton’ hetimin

09.10.2019 - 11:51

Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka refuzuar të bashkëpunojë lidhur me hetimin për shkarkim ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, të cilin po e zhvillon Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët.

Përmes një letre dërguar drejtuesve demokratë, Shtëpia e Bardhë e refuzoi hetimin si “të pabazë” dhe “jo vlefshëm nga ana kushtetuese”.

Tri komitete të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequra nga demokratët po hetojnë presidentin Trump.

Hetimi është duke u përpjekur të zbulojë nëse presidenti ka tërhequr një ndihmë për Ukrainën në mënyrë që ta shtyjë autoritetet ukrainase të hetojnë Joe Biden, i cili po kandidon për nominimin presidencial të demokratëve.

Letra e Shtëpisë së Bardhë vjen disa orë pasi administrata e Trumpit e bllokoi dëshminë e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që të paraqitej para komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone në letrën me tetë faqe drejtuar demokratëve dhe kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi, dhe tre kryetarëve të komiteteve Demokratike, akuzoi liderët për ngritjen e një hetimi që “shkel drejtësinë dhe procesin e duhur të mandatuar me kushtetutë”.

Letra akuzonte gjithashtu Demokratët se po përpiqeshin të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016, dhe “privojnë popullin amerikan nga Presidenti që ata kanë zgjedhur lirshëm”.

“Për të përmbushur detyrat e tij ndaj popullit amerikan … Presidenti Trump dhe administrata e tij nuk mund të marrin pjesë në hetimin tuaj partizan dhe antikushtetues në këto rrethana.”

Si përgjigje, Pelosi e quajti letrën “dukshëm të gabuar”.