MENU
klinika

Së shpejti do të paguajë...

Si mundi Ukraina ta “tradhtonte” BE-në për SHBA-në?!

28.10.2019 - 16:34

Javën e kaluar, Presidenti i Ukrainës Zelensky pranoi se Presidenti amerikan Trump në të vërtetë i kishte bërë presion për hetimin e rivalit politik të Trump, Joe Biden, shkruan Iveta Cherneva.

Vlen të hedhim një sy përsëri në transkriptin e bisedës në korrik të Presidentit Trump me Presidentin e Ukrainës Zelensky. Pranimi i Zelenskyt se ai ndjeu presion nga Trump në kontrast me sjelljen e tij gjatë asaj thirrje të korrikut, dukej se ishte një shenjë paralajmëruese për njerëzit, për atë që ndodh kur ngrihet perdja.

Pavarësisht se shumica në Uashington përpiqen të minimizojnë peshën e vërtetë të asaj që Zelensky tha, ai ka 99 probleme dhe Trump është vetëm njëri prej tyre.

Duke i thënë Trumpit se Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës  ishte100% njeriu i tij dhe do të shqyrtonte çështjet që dëshironte Trump, Zelensky tregon se ai nuk është ndryshe nga asnjë prej paraardhësve të tij ukrainas.

Një sistem gjyqësor i stilit sovjetik, shumë i njohur për kombet e Evropës Lindore, nënkupton që prokurorët plotësojnë dëshirat e atyre që janë në pushtet.

Reforma e sistemit të drejtësisë është një çështje e rëndësishme për votuesit e Evropës Lindore. Zelensky ishte një zë i ri, në kontrast me të kaluarën e Ukrainës.

E gjithë biseda me Trump tingëllonte si një komplot. Ukrainasit duhet të zemërohen. Gjithçka tregon se Zelensky po i përulet qartë Presidentit Trump.

Zelensky kujton më shumë një kukull sesa një udhëheqës të pavarur të një kombi krenar. Ai është gati të përballet me një stuhi në shtëpi.

Zelensky tani flet me mllef për BE-në: “Ata nuk po punojnë aq sa duhet të punojnë për Ukrainën. Në mënyrë logjike, Bashkimi Evropian duhet të jetë partneri ynë më i madh por teknikisht Shtetet e Bashkuara janë një partner shumë më i madh se Bashkimi Evropian dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë sepse Shtetet e Bashkuara po bëjnë mjaftueshëm për Ukrainë. Shumë më tepër sesa Bashkimi Evropian… ”

BE është donatori më i madh për Ukrainën përsa i përket ndihmës së dhënë. Vendet e BE-së janë aleatët e Ukrainës më të afërt nga ana gjeografike.

Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndiejnë kurrë kërcënimin urgjent për sigurinë kombëtare që buron nga agresioni rus ashtu si do të donin aleatët e BE-së.

Është naive të mendosh që Zelensky thjesht do të duhej të bënte disa telefonata me Merkel, Macron dhe Komisionin për të zgjidhur gjërat.

Zelensky jo vetëm që i përulet Trumpit, ai flet me mllef për partnerët e tij më të rëndësishëm.

Përkundër situatës së pasigurt, një udhëheqës kombëtar duhet të ruajë dinjitetin në përfaqësimin e vendit. Ky është një mësim i ashpër që Zelensky po mëson tani…

Iveta Cherneva është një autore në fushat e të drejtave të njeriut dhe sigurisë, më parë në KB dhe Kongresin Amerikan.