MENU
klinika

Mesazhi për 47 ministrat e KE-së

Strazburg/ Gjonaj: Negociatat, presion për reformat e mëtejshme në Shqipëri

15.10.2019 - 11:31

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka folur në Konferencën e Nivelit të Lartë në Strasburg ku marrin pjesë 47 homologët e saj nga vendet e Këshillit të Evropës.

Në ministerialin e organizuar nën kujdesin e homologes franceze Nicole Belloubet, Gjonaj u ndal te vendimi i Bashkimit Europian lidhur me çeljen e negociatave, duke vendosur theksin te roli që ka pasur Ministria e Drejtësisë në këtë proces.

Gjonaj u shpreh se “Ftesa ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tryezën e negociatave, do të rrisë presionin për reformat e mëtejshme për marrjen e masave për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për të rritur përgjegjshmërinë për zbatimin e reformës së drejtësisë”, tha Gjonaj duke shtuar se:

“Zbatimi i reformës në drejtësi është në një fazë të rëndësishme dhe jam tepër e kënaqur që Bashkimi Evropian na ka ndihmuar dhe do të na shoqërojë edhe në projektimin dhe përgatitjen e qendrës së re unike teknologjike të drejtësisë”, nënvizoi Gjonaj.

Ajo u ndal edhe te puna që është bërë për forcimin e shtetit të së drejtës:

“Thelbi i shoqërive të drejta dhe gjithëpërfshirëse është një sistem drejtësie i pavarur dhe i efektshëm. Një sistem drejtësie i ndikuar nga pushteti, qoftë ekonomik ose politik, manipulon të drejtat dhe aksesin e qytetarëve në një proces të drejtë ligjor.

Duke synuar rivendosjen e funksionimit të duhur të shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit gjyqësor, si dhe për rivendosjen e besimit publik në këto institucione, Shqipëria vuri në funksionim një sistem kalimtar vetingu për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sistem”, theksoi Gjonaj.

Ministrat gjithashtu diskutuan qasjen e ligjit dhe drejtësisë në epokën digjitale, si dhe ndikimin e teknologjisë në drejtësinë penale. Gjonaj e konsideroi teknologjinë si një “aleat” për të luftuar problemet që dobësojnë sistemin.

“Si pjesë e paketës sonë të reformës në drejtësi, kemi parashikuar krijimin e një qendre teknologjie informacioni për gjyqësorin që do të modernizojë sistemin e drejtësisë nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja dhe duke gjeneruar efektshmëri në funksionimin e gjyqësorit dhe administrimin e gjykatave dhe prokurorive.

Ne besojmë fuqimisht se teknologjia është aleati ynë më i mirë, i cili lufton problemet që kanë dobësuar sistemin tonë të drejtësisë dhe kanë gërryer besimin e publikut në të. Përmes teknologjisë mund të jemi të suksesshëm në ofrimin e shërbimeve të ndershme dhe të aksesueshme të drejtësisë.

Qeveria e Shqipërisë e konsideron këtë proces si një udhëtim të përshtatjeve të vlerave dhe një mundësi për të ndërmarrë reforma vendimtare që do të ndihmojnë përfundimisht në sigurimin e shërbimeve cilësore të drejtësisë dhe ta bëjnë Shqipërinë pjesë të familjes së përbashkët evropiane”, tha Gjonaj.

Gjatë kësaj vizite dy ditore, Gjonaj po zhvillon disa takime të veçanta bilaterale me homologët e vendeve te tjera ku po diskutohen një sërë çështjesh, duke kërkuar mbështetje lidhur me projektet që Ministria e Drejtësisë po implementon për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend.

Më herët, ajo u prit nga sekretarja e re e përgjithshme e Këshillit të Evropës Znj. Marija Pejčinović Burić ku u vlerësua lidhur me punën e bërë për reformimin e drejtësisë.