MENU
klinika

Kërkohet pezullimi i HEC-it

Tensione në Mat/ Katër fshatra ngujohen te burimi i ujit

26.10.2019 - 18:11

Banorët e katër fshatrave të Njësive Administrative në Derjan dhe Macukull janë ngritur për të 6 herë këtë të shtunë në protestë për të kundërshtuar ngritjen e HEC-it në Zallë Gjoçaj, ndërsa ka pasur edhe momente tensioni dhe shtyrje me policinë.

Banorët thonë se do të qëndrojnë deri në ndërprerjen e punimeve në burimin e ujit në fshatin Zall Gjocaj, ose në të kundërt kërkojnë nga shteti t’i shpërngulë nga fshati.

Ata thonë se do të bëjnë qëndresë kundër ndërtimit të HEC-it, ndërsa ditën e sotme kanë marrë edhe çadra duke i ngritur ato për t’u ngujuar pranë vendit ku po kryhen punimet, që ato të ndërpriten.

Sipas banorëve protestues punimet e HEC-it po prishin varrezat e fshatit dhe kanë hyrë në zonën e mbrojtur të Lurës duke shkatërruar atë.

Protestuesit deklarojnë se që kur kanë nisur punimet e HEC i janë drejtuar instancave shtetërore përgjegjëse dhe ambasadave për pezullimin e këtyre punimeve, por asnjë masë nuk është marrë për mos shkatërrimin e kësaj pasurie natyrore.

Protesta e sotme e banorëve të katër fshatrave të Njësive Administrative Derjan e Macukull është mbikëqyrur nga forca të shumta policie dhe RENEA ku ka pasur edhe konfliktim të banorëve me uniformat blu.