Gjendet në mes të Alpeve, me një bukuri përrallore. Është Thethi, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, mes tre malesh: Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2 500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një prej zonave më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet me një sipërfaqe prej 2 630 hektarësh.
Historia e Thethit dhe e Shalës lidhet me fisin ilir të Labeatëve. Është një vendbanim i kahershëm, sipas të dhënave historike dhe zbulimet arkeologjike. Në Theth kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të panjohura.
Për herë të pare, Thethi haset i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe asokohe, kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan zonën nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit, me qendër Pejën. Prej asaj kohe, Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit, sikur sot konsiderohen po ashtu Shala, Shoshi dhe Pulti.
Zona e ka fituar këtë emër, pikërisht nga pozita e saj gjeografike dhe shtrija e saj. Origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë nga emri “thep”, – Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e të tjera, shpreheshin: “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa, për të gjuajtur”.
Thethi është i rrethuar nga male të larta dhe qafa me një pamje mahnitëse. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të pahasura ndonjëherë.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mulliri i Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për kureshtarët.
Jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Thethi, mahnitje në çdo stinë!