MENU
klinika

Ministri tregon për çfarë ishin zotuar

Vetoja e Francës/ Cakaj: Rezerva për zgjerimin, jo për Shqipërinë!

19.10.2019 - 21:09

Kundërshtimi i tre vendeve, që Shqipërisë mos t’i hapen negociatat nuk ka lidhje me vendin tonë.

Kështu u shpreh ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në një intervistë realizuar së fundmi.

Sipas Cakajt, rezerva e Francës, Holandës dhe Danimarkës lidhet me zgjerimin dhe jo me performancën që ka bërë Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.

“Qëndrimi i kancelares Merkel që ka më shumë për tu bërë, nuk do të thotë se nuk duhet të hapen negociatat, por në fakt është pasqyrim i drejtpërdrejtë i qëndrimit të saj se ky proces duhet të kushtëzohet në mënyrë që rezultatet të jenë më përmbajtësore.”

“Nuk është çështje mosbindje e tre vendeve. Këtë po e them fare hapur, e para sepse të tre vendet edhe në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme edhe në Këshillin Evropian hezitimin kryesor nuk e kanë pasur në raport me Shqipërinë. Sikur kjo të kishte qenë e vërteta a do të ishin hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut?! Por nuk ka ndodhur as me ata. Përkundër marrëveshjes historike të Prespës rezultateve të konsiderueshme në fushat prioritare që kanë qenë për ta.

Por nuk janë hapur as për ata, sepse rezerva ka qenë më tepër e lidhur me procesin e zgjerimit, sesa me performancën e vendeve përkatëse. Shumë prej vendeve që në pamundësi për të ristrukturuar procesin e zgjerimit, kërkojnë alibi shtesë për të penguar një vendimmarrje për zgjerimin. Në disa deklarime publike, ky ka qenë rasti, por në takimet zyrtare brenda dilema kryesore ka qenë nëse duhet të vazhdojë negocimi mbi parimet e metodologjisë aktuale, e para dhe e dyta nëse është e drejtë që BE të angazhohet për zgjerim pa e përmbyllur procesin e reformës brenda.”

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se Shqipëria nuk ka qenë pengesë për Maqedoninë e Veriut në procesin e hapjes së negociatave.

Ai tha se nëse Këshilli Evropian do të kishte në axhendë ndarjen, do të bënte, ashtu siç bëri me Shqipërinë kur u anëtarësua në NATO.

Ministri tha se Shqipëria ka lobuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndaheshin në këtë proces, por duke u bazuar në argumente dhe fakte reale

“Nuk e kuptoj sesi qenka e mundur ta paguajë faturën Maqedonia e Veriut për shkak të Shqipërisë. Unë e kuptoj që në diskutime ditore mund të flitet diçka, por unë po ashtu jam i vetëdijshëm se Shqipëria është anëtarësuar në NATO në kohën kur kishte ambicie të anëtarësohej edhe Maqedonia në atë kohë, tani Maqedonia e Veriut dhe për shkak të kontestit të një vend anëtar i NATO-s nuk ka mundur ta bëjë atë. Pra kur ndarjet kanë qenë në axhendë, ndarjet edhe janë realizuar në rrethana të tjera. Është krejtësisht e padrejtë dhe e pafalshme që ne për interesa të ngushta politike ditore shpesh herë prodhojmë interpretime që jo vetëm që nuk kanë lidhje me realitetin, por nuk i shërbejnë as imazhit ndërkombëtar dhe rajonal të Shqipërisë.”

I pyetur më tej nëse pas këtij vendimi të marrë a është vizioni i Macron rrezik për integrimin e Shqipërisë, Cakaj thotëProcesi i zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, sot gjerësisht edhe tek vendet e tjera anëtarë konsiderohet i paalternativë. Mbase mund të ketë vështirësi gjatë rrugës dhe mund të ketë cedime në kohë. Por kjo nuk do të thotë se ky proces do të zëvendësohet. Ky proces do të vazhdojë me një dinamikë tjetër, pas ndryshimit të metodologjisë për negocim dhe paralelisht me diskutimet për reformimin e brendshëm të BE.

Situatën në Shqipëri, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Gent Cakaj e shikon të ndryshme nga ajo në Maqedoninë e Veriut.

Ndaj sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakoshme.

Cakaj tha se Shqipëria nuk është zotuar, si Maqedonia e Veriut, se negociatat do të hapen.

Sipas ministrit, qeveria shqiptare i ka përmbushur të gjitha detyrat dhe kushtet për hapjen e negociatave.

“Çështja është se Maqedonia e Veriut i përket rrethanave të tjera politike për shkak se sfidat politike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të tjera. Ata kanë bërë një referendum popullor dhe çështja kryesore ka qenë që nëse shtetasit e Maqedonisë do të duan ta ndryshojnë emrin shtetëror në këmbim të agjendës evropiane dhe atlantike të vendit. Ndaj përgjegjësia atje është krejtësisht tjetër.

Po ashtu zotimi i qeverisë së atjeshme ka qenë se negociatat do të hapen. Në Shqipëri përveçse nuk ka pasur një problem të tillë politik, në Shqipëri nuk ka pasur zotim të prerë se negociatat do të hapen. Ne kemi qenë tërësisht të kujdesshëm që ne të themi që ne përpiqemi për hapjen e negociatave, por nuk mund ta garantojmë suksesin e tyre për shkak se një copë e madhe e punës nuk varet nga marrëdhënia e Shqipërisë me vendet anëtare, por nga marrëdhënia e vendeve anëtare me vetë BE.

Qeverisë i takon ti përshtatet rrethanave të reja që shfaqen si rrjedhojë e ndryshimit të politikave të BE. Qeveria shqiptare duhet të kishte qenë përgjegjëse nëse nuk do të kishte përmbushur detyrat e saj ose në rast se ky vendim do të kishte ardhur si rrjedhojë e dështimit të fushatës tonë diplomatike. Përkundrazi ne kemi arritur të ndryshojmë edhe qëndrimin e Gjermanisë për mirë. Çështja është, për ta sqaruar më përmbajtësish këtë punë. E para, disa prej kushteve kryesore për hapjen e negociatave nuk janë kompetencë e qeverisë fare.

Psh, thellimi i rezultateve të vettingut. Kjo punë i përket institucioneve të pavarura të drejtësisë. Raporti nuk është raporti i qeverisë, por është raport i Shqipërisë dhe natyrisht në të qeveria shqiptare ka përgjegjësinë më të madhe. Sa i përket përgjegjësive të qeverisë, detyrat janë përmbushur. Qeveria shqiptare është e pafuqishme dhe as e ka këtë mundësi objektivisht që ta ndryshojë politikën e Francës në raport me zgjerimin.”