MENU
klinika

Mata Hari

100 vjet nga ekzekutimi i spiunes dhe balerinës më sensuale, ekzotike dhe intrigante

26.11.2019 - 07:41

Sot shumë e besojnë se Mata Hari u tregua e pakujdesshme, që nuk ishte me të vërtetë një agjente e dyfishtë dhe që shërbeu si një emisar i mirë, për t’u gjendur më pas një një moment dhe vend të gabuar. E sigurt është se Margaretha Geertruida Zelle, lindur në Hollandë më 1876 e përballoi pushkatimin me një qetësi dhe dinjitet befasues, kjo sipas së vetmes dëshmi të gazetarit që e raportoi. Për të qenë një hollandeze Mata Hari kishte një lëkurë në ngjyrë të zeshkët që shumë e konsideronin si të huajën ekzotike, e ngatërronin me një euroaziatike, mbi të cilën ajo vetë ngriti fantazitë dhe e shfrytëzoi për origjinën e saj. Ishte vajza e një tregtari kapelesh në qytetin e Leeuwarden-it. Në Hollandën e saj, Mata Hari nisi të ushtronte artin e joshjes. U përjashtua nga shkolla e Liedenit për shkak të një vardisje me drejtorin e shkollës, i cili e pagoi shtrenjtë me shkarkimin nga posti.

U martua me një kapiten 19 vjet më të madh se ajo, e më pas u transferuan në ishullin e Javës në Indonezi, atëherë koloni e Hollandës. Nga martesa lindi dy fëmijë, por djali i vdiq prematur. Nuk mundi të ishte një martesë e lumtur sepse bashkëshorti Rudolph MacLeod ishte i alkoolizuar dhe mjaft i dhunshëm. Në ato kohë ajo gjente strehim tek kultura javaneze dhe sidomos tek kërcimi. U kthyen në Hollandë dhe u divorcuan në vitin 1902, fitoi edhe kujdestarinë e vajzës. Më pas vendosi të shkonte në Paris. Aty rilindi duke shpikur emrin Mata-Hari dhe në 13 mars pati debutimin e saj të parë si balerinë në një kabare. Aktronte në sallën e spektakleve e veshur si një princeshë java e veshur me ar, xhade dhe për shkak të ngjyrës së saj shkaktoi sensacion. Ishte një vend për një publik të zgjedhur e sponsorizuar nga një pronar, Émile Guimet. Ajo merrte pjesë në skena ku Zoti hindu me gjashtë krahë, priste homazhet e shumë princeshave, mes të tjerave edhe atë të Mata Harit që në gjuhën hindu do të thotë diell ose syri i agimit.

Sipas gazetares franceze Colette që mori pjesë në debutimin e saj, Mata Hari pothuaj nuk kërcente, por dinte të zhvishej ngadalë dhe të lëvizte trupin e saj të gjatë, të dobët dhe krenar. Ky ishte arti i Mata Harit, një striptizëm sfidues për kohën, shumë sensual dhe i kujdesshëm me një shikim që sot quhet seksi dhe ekzotik, e që i jepte mister qenies së saj. Pas suksesit të spektaklit erdhi edhe turi i trupës bashkë më Margaretën në të gjithë Europën edhe pak më tutje, si në Spanjë, në Montekarlo, Berlin, Vjenë, Hagë dhe në Kairo. Artistja sensuale në këto ture do të mblidhte “padronë’ të shoqërisë së lartë, politikanë, sipërmarrës, ushtarakë, fisnikë. Mes të njohurve do të ishin edhe diplomatët francezë Jules Cambon dhe Princi Trashëgimtar i Gjermanisë. E mori mjaft seriozisht rolin e saj dhe pohonte se ishte një princeshë indoneziane, njohëse e kërcimeve tradicionale dhe ritualeve të tjera hindu. Ajo joshi jo vetëm me kërcimet e saj sensuale, por edhe me fotografitë për të cilat pozonte me kënaqësi. Nisja e Luftës së parë Botërore do të sillte pështjellime për të gjithë. Duke qenë se vinte nga një vend neutral kishte mundësinë të lëviste lirshëm në Europë, pavarsisht zonave konfliktuale. Jetonte në luks në Grand Hotel de Paris, ku haste shumë ushtarakë të gradave të ndryshme. Avantazh ishin edhe gjuhët që njihte.

Në fund të vitit 1916 ra në dashuri me një kapiten rus që ishte në shërbim të Francës, Vadim Maslov, vetëm 21 vjeç, ndërkohë që ajo ishte afërsisht tek të 40-at. Djaloshi u plagos dhe u shtrua në një spital fshati në Vitel, në zonën e Lorenës, në atë kohë në duart e gjermanëve. Ajo kërkoi ta vizitojë dhe për të lehtësuar udhëtimin pranoi të spiunojë Princin Trashëgimtar të Gjermanisë, që e njihte mirë dhe për t’ia çuar këto informacione më pas francezëve. Oficeri i kundërinteligjencës, kapiteni Ladoux, shërbeu si një rekrutues i spiunes së re, shërbimet e të cilit u shpërblyen me një shumë të konsiderueshme. Për të mbërritur në destinacion iu desh të bënte goxha rrugë, shkoi fillimisht në Spanjë që ishte zonë neutrale, ku i hipën një varke deri në Hollandë dhe që andej shkon në territoret e kontrolluara nga gjermanët. Në një ndalesë në Falmouth, shërbimet e inteligjencës britanike e morën në pyetje sepse dyshonin. Duke parë që mbërritja e saj në Gjermani po komplikohej, Mata Hari kthehet në Madrid, ku josh një oficer gjerman, majorin Arnold von Kalle. Mesa duket gjermanët e njihnin Mata Harin si spiune franceze dhe e bombarduan me informacione të rreme.

Por në kabllorët që ky oficer i dërgonte Berlinit duke dhënë informacione mbi nëndetëset që do të shkonin në Marok, mes informacioneve të tjera britanike përmendi një agjent H-21 që ishte mjaft i dobishëm. Aleatët duke përgjuar këto informacione arritën në përfundimin se H-21 mund të ishte Mata Hari dhe ndoshta kishte qenë një agjente gjermane që nga fillimi. Ajo mori vesh se i dashuri i saj u kthye, por nuk ishte në dijeni të dyshimeve mbi përfshirjen e saj me gjermanët dhe vendos të kthehet në Francë. Prirja e saj për të rishpikur të kaluarën dhe për origjinën e saj misterioze, të nevojshme për aventura dashurie dhe joshjeje do t’i kthehet kundër. Kthehet në Paris në 4 janar të vitit 1917 dhe arrestohet në Hotel “Elysée Palace” nga kapiteni Bouchardon. Legjenda thotë se doli lakuriq nga banja dhe në vend që të vishej i qerasi policët që erdhën për ta arrestuar me çokollata brenda një helmete gjermane. Do të pyetej nga Bouchardon në burgun e Saint-Lazare që sot nuk ekziston më. Ajo pranoi se kishte marrë para nga oficerë gjermanë, por jo për spiunazh, por për shërbime të tjera…

Gjygji do të mbahej me dyer të mbyllura në 24 korrik të vitit 1917, para këshillit të luftës në Pallatin e Drejtësisë në Paris. Gjykatësit duhet të caktonin nëse gruaja Zelle MacLeod e quajtur Mata Hari ishte agjentja H-21, fajtore për spiunazh dhe inteligjencë me armikun. Mbrojtësi i saj ishte një dashnor i vjetër, avokati Clunet. Materialet e gjygjit u bënë publike në vitin 2001dhe janë gati 600 faqe. Margareta do ta dëgjonte me turp ish dashnorin e saj, Vadim Maslov që do të dëshmonte në cilësinë e dëshmitarit se ajo ishte një aventuriere. Në favor të saj ishte vetëm diplomati Henri de Marguière që tha se e njihte prej kohësh dhe garantonte ndershmërinë e saj. Por fati luante kundër të bukurës, ose edhe shteti…

Kishte trazira në rradhët e ushtarakëve dhe opinion publik ishte i pakënaqur dhe kërkonte një fajtor. Mata Hari ishte fajtorja ideale. Ajo ishte ai lloj gruaje që burrat e pëlqejnë ta frekuentojnë, por jo në publik dhe gratë e urrejnë. Kandidatja perfekte për një mësim të mirë. “Prostitutë po. Spiune kurrë! Gjithmonë kam jetuar për qef dhe për dashurinë!”- deklaroi Mata. Një një kohë rekord prej 40 minutash gjykata e shpalli fajtore dhe e çuan para togës së pushkatimit. Mëngjesin e 15 tetorit të vitit 1917 Margareta mori njoftimin se do të pushkatohej po atë ditë sepse apelimi i fundit i saj për falje presidenciale ishte refuzuar. “Ajo e priti lajmin me një qetësi të dukshme. U ngrit ngadalë nga krevati dhe pyeti nëse mund të shkruante dy letra, të cilat i shkroi shpejt. Për t’u veshur shfrytëzoi gjithë kohën e mundshme. Çorape të zeza setë, këpucë me takë me lidhëse, nuk e hoqi kimonon e mëndafshtë me të cilin flinte, hodhi krahëve një kapot të zi me pellush dhe një kapele leshi të zi me lidhëse. Ngadalë dhe me indiferencë veshi një palë doreza të zeza.”- kështu do të shkruante për agjensinë “International News Service” gazetari Henry Wales që paqyroi ekzekutimin. “Jam gati.”- tha me një qetësi dhe shpura doli nga qelia deri në automjetin që e priste. Në momentin kritik u shoqërua nga një prift dhe dy murgesha, përveç avokatit të saj që e kreu detyrën e tij deri në fund. Ajo u çua në kazermat e regjimentit të Vincennes, jashtë Parisit, aty ku ndodhej toga e pushkatimit nga dymbëdhjetë ushtarë.

Nuk pranoi t’ia lidhnin sytë. Kur u ndodh para togës përshëndeti me nga një puthje ushtarët, si përshëndetjen e fundit të spektaklit të jetës së saj. “Nuk lëvizi asnjë muskul,” – dëshmonte Wales, -në momentin kur ushtarët hodhën pushkët mbi shpatulla.” Të gjithë ushtarët shenjëstruan gjoksin e gruas, por katër plumba e qëlluan. Ajo po binte ngadalë, u palos mbi gjunjë, koka akoma ruajti ekuilibrin dhe pa asnjë ndryshim në shprehje. Ra, u palos me këmbë të përkulura dhe me fytyrën drejt qiellit. Një oficer iu afrua, i mbështeti pistoletën në qafë dhe i dha goditjen e fundit. Ky fat tragjik i dha Mata Harit një postmortum botëror që e ndjera nuk e kish imagjinuar kurrë. U shndërrua në një mit dhe emri i saj u kthye në një simbol të kurtizanes, spiunes, intrigantes, femme fatale. Nuk është i panjohur stereotipi i gruas që me shërbimet e saj të joshjes shtje në dorë burra, smerr informacione, sekrete në krevat, por Mata Hari padrejtësisht ose jo e mishëroi si askush tjetër ndonjëherë.